Tiranë, 29 Dhjetor 2015– Kryetari i Parlamentit z. Ilir Meta, njëkohësisht edhe kryetar i Grupit Parlamentar ‘Miqtë e Fëmijëve’, deputetja dhe nën/kryetarja e Grupit Parlamentar ‘Miqtë e Fëmijëve’, znj. Vasilika Hysi, si edhe Ministri i MMSR z. Blendi Klosi, përfaqësues të tjerë të MMSR dhe UNICEF Shqipëri, vizituan sot disa prej shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve në vend siç është Linja Kombëtare e Telefonit të Fëmijëve-ALO 116 dhe Qendra Ditore “Shtëpia e Ngjyrave”.
Kjo vizitë kishte për qëllim njohjen e zyrtarëve publikë me punën, aktivitetet dhe rezultatet kryesore të shërbim ofruesve të sipërpërmendur të shoqërisë civile që punojnë për promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, abuzimi, shfrytëzimi dhe neglizhimi. Vizita gjithashtu shërbeu për tu njohur nga afër me mekanizmat e koordinimit dhe referimit ndërmjet agjensive të ndryshme të përfshira në parandalimin dhe përgjigjen e dhunës ndaj fëmijëve.
Gjatë vizitës pranë zyrës së ALO 116 të pranishmit patën mundësinë të shihnin nga afër punonjësit socialë dhe psikologët gjatë punës së tyre të përditshme në kontakt telefonik me fëmijët si dhe u njohën me funksionimin e linjës së vetme kombëtare në vend, llojin e telefonatave që priten tek ALO 116, problemet e raportuara si edhe grupmoshat që telefonojnë më shumë pranë ALO 116.
Z. Meta, z. Klosi dhe znj. Hysi, shprehën interes për numrin e telefonatave që vinin pranë linjës,çështjen e trajtimit të rasteve, veçanërisht në rastet kur raportohet dhunë seksuale, çfarë roli luante linja në referimin e këtyre telefonatave dhe kujt ja referonte ALO 116 këto raste.
Të pranishmit më pas u njohën nga afër me punën 6 vjeçare të ALO 116 dhe me bordin e fëmijëve të ALO 116, një bord konsultues i cili ushqen ALO-n në çdo hap të tij. Ata u njohën me aktivitetet kryesore në të cilat fëmijët në emër të ALO 116 kanë marrë pjesë në rang botëror, si psh. në bordin rinor të Child Helpline International, në konsultimet e Bankës Botërore në Washington, etj.
Në përfundim të takimit, Znj. Hysi dhe Z. Meta u angazhuan në emër të Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” të ndërmerrnin nisma legjislative të reja për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë dhune dhe abuzimi. Ata gjithashtu ftuan të rinjtë dhe fëmijët e ALO 116 që në sesionin e ri të  Kuvendit të Shqipërisë të bënin një prezantim të Alo 116 përpara të gjithë deputetëve për ti vënë në dijeni mbi situatën e fëmijëve, shqetësimet dhe çështjet që më shumë i shqetësojnë ata.
Për çdo informacion ju lutem kontaktoni: Për më shumë informacion, kontaktoni:

Mersila Ballo, Menaxhere Programi, CRCA Shqipëri, email: mersila.ballo@crca.al.
Blerina Metaj, Koordinatore për Marrëdhëniet me Parlamentin, CRCA Shqipëri. E-mail: blerina.metaj@crca.al; 


Detajet e Lajmit
January 9, 2016
287
Kategoria