Gratë kandidate për deputete shpalosin alternativat politike për gratë

Gratë kandidate për deputete shpalosin alternativat politike për gratë

Tiranë, 28 Maj 2013 – CRCA dhe Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, organizoi sot forumin e parë të hapur me temë “Gratë dhe Alternativa e tyre për Shqipërinë”, për të njohur kandidatet gra dhe vajza të partive politike dhe alternativën e tyre politike për gratë dhe shoqërinë. Përmes paraqitjes live në media forumi targetoi audiencën e grave dhe vajzave anembanë Shqipërisë. Forumi u mundësua falë mbështetjes së Olof Palme International Centre dhe Qeverisë Suedeze.

Forumi kishte për qëllim të mbështeste publikisht gratë kandidate për deputete nga çdo forcë politike në Zgjedhjet Parlamentare 2013, për t’i treguar partive politike dhe shoqërisë se gratë ofrojnë sot në “tregun” e politikës një alternativë konkurrente dhe të realizueshme.

Altin Hazizaj, moderator i Forumit në fjalën hapëse tha se “Gratë dhe vajzat anembanë Shqipërisë vazhdojnë të lihen ende mënjanë tryezës së vendim-marrjes qëndrore dhe lokale. Shpallja e listave të kandidatëve për Zgjedhjet Parlamentare 2013 ishte një tregues më shumë në konstatimin se politika shqiptare nuk është ende gati për të pranuar barazinë grua-burrë në politikë.”

Në këtë forum morën pjesë kandidate për deputete kryesisht për Tiranën por edhe për rrethe të tjera si Durrësi dhe Shkodra, nga parti politike të konsoliduara tashmë si PS, LSI, PR, PDIU, por edhe të partive të reja si FRD dhe AK.

Forumi i konceptuar në formën e një dëgjese publike u fokusua veçanërisht në pyetje e përgjigje dhe u dha mundësi pjesmarrësve, që përmes pyetjeve drejtuar kandidateve të qartësoheshin lidhur me çfarë partitë politike kanë përfshirë në programet e tyre dhe kanë parashikuar të ofrojnë për gratë dhe vajzat në katër vitet e ardhshme.

Forumi u përshëndet nga z. Patrik Svensson, i ngarkuari me punë i Ambasadës Suedeze në Shqipëri dhe Znj.Christine Moro, ambasadore e Francës në Shqipëri. Ai u  ndoq gjithashtu nga gra e vajza, aktivistë të shoqërisë civile, OJF-ve, Medias, organizatave ndërkombëtare, partive politike, etj.

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL