Gjuha e urrejtjes dhe bullizmi online ndër incidentet kryesore që raportojnë fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri gjatë vitit 2022

Tiranë, 10 Shkurt 2022 – Sot në mëngjes, Linja Kombëtare për Internet të Sigurt për Fëmijët, bëri publike të dhënat e incidenteve që fëmijët dhe adoleshentët kanë raportuar pranë kësaj Linje, në Raportin e 4-ët Kombëtar për Sigurinë në Internet. Raporti që përgatitet dhe publikohet çdo vit në fillim të muajit Shkurt, lidhet me eventet që organizohen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Internet të Sigurt.

Gjetjet e raportit u prezantuan mëngjesin e sotëm në Forumin e 8-të për Internet të Sigurt në Shqipëri, me pjesëmarrjen e autoriteteve, mësuesve, përfaqësuesve të OSHC-ve dhe mediave.

“Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë për të ofruar më shumë siguri dhe mbrojtje për çdo fëmijë dhe të ri që përdor internetin. Nga të dhënat që kemi mbledhur nga iSIGURT për shtatë vitet e fundit, ne besojmë se bota online po bëhet më e rrezikshme dhe më shfrytëzuese për fëmijët. Është urgjente që të fillojmë të zhvillojmë ligje dhe politika të reja, për të adresuar të gjitha këto mangësi, së bashku me industrinë.” – tha Altin Hazizaj, në emër të CRCA/ECPAT Albania.

Raporti ndër gjetjet e tij kryesore për këtë vit, rendit:

  • Në vitin 2022 ka një rritje të konsiderueshme të gjuhës së urrejtjes dhe bullizmit online ndaj fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.
  • Mesatarisht çdo dy ditë një fëmijë / adoleshent / i rritur raporton internet të pasigurt në Shqipëri, duke ju referuar kështu 150 rasteve të raportuara pranë Platformës ISIGURT.al.
  • Viti 2022, shënon një ndarje pothuaj të barabartë midis djemve dhe vajzave në raportim, krahasuar më vitet e kaluara. Këtë vit 47 % e raportimeve janë nga djemtë krahasuar me 43% e raportimeve të ardhura nga vajzat.
  • Grupmosha më e prekur që raporton një numër më të lartë incidentesh në internet është 18-30 vjeç e ndjekur nga grupmosha 15-17 vjeç.
  • TikTok është platforma kryesore, për vitin 2022, për të cilën fëmijët dhe të rinjtë raportojnë pjesën më të madhe të incidenteve online, e ndjekur nga Instagram.

Rritja e numrit të përdoruesve të internetit në vendin tone, në thuajse 80 përqind të pupullsisë, e ka kthyer atë në një nga mediumet më të rëndësishme nga njeriu për të komunikuar, mësuar dhe shkëmbyer informacion. Por nga ana tjetër, interneti mbart një sërë rreziqesh për fëmijët, sidomos në drejtim të mbrojtjes së tyre nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi seksual, bulizmi apo gjuha e urrejtjes online.

iSIGURT.al – Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, një shërbim kombëtar i ngritur nga CRCA/ECPAT Shqipëri në vitin 2015, ka si mision të saj kryesor raportimin dhe heqjen e materialeve në internet, në rrjetet sociale dhe median online, që përmbajnë dhunë seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, bullizëm dhe dhunë ekstreme ndaj fëmijëve dhe të rinjve, si dhe gjuhës e krimeve të urrejtjes. Pranë Platformës funksionon edhe Linja Kombëtare për Sigurinë në Internet të Fëmijëve, që ka për qëllim raportimin e menjëhershëm të të gjithë incidenteve me natyrë të dhunës seksuale, dhunës ekstreme, bullizmit etj., që fëmijët dhe të rinjtë ndeshin gjatë përdorimit të internetit, dhe heqjes apo bllokimit të faqeve me këtë lloj përmbajtje.



Për më shume info, kontaktoni:

iSIGURT.al

isigurt@crca.al


Detajet e Lajmit
February 10, 2023
1088
Kategoria