Tiranë, 28 Prill 2023 – CRCA/ECPAT Shqipëri mirëpriti sot takimin e përbashkët të mësuesve, së bashku me  organizatat dhe institucionet partnere midis tre shteteve pjesëmarrëse CRCA/ECPAT Shqipëri, EDGuard Kosovë dhe CED Maqedonia e Veriut në kuadër të nismës të përbashkët rajonale “Bashkë për Gjithepërfshirje”, të mbështetur nga Fondi për Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimi Europian. Takimi u organizua dhe u mikëprit në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) në ndërtesën e Kryeministrisë në Tiranë.

Qëllimi i takimit ishte mbështetetja, forcimi I kapaciteteve dhe shkëmbimin e praktikave më të mira për mësimdhënien gjithëpërfshirëse ndërmjet mësuesve të arsimit parauniversitar nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Bashkëbisedimi u zhvillua në Sallën e Bibliotekës së COD dhe së bashku me mbi 40 mësues nga të treja shtetet, ajo mblodhi edhe aktorë të rëndësishëm me ndikim në arsimin gjithëpërfshirës në Shqipëri me synim për të ndarë me të gjithë pjesmarrësit një panoramë të funksionimit dhe të rolit të arsimit gjithëpërfshirës në Shqipëri.

Të ftuar dhe folës kryesorë të takimit ishin një sërë personalitetesh nga institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut në Shqipëri, si dhe nga organizatat e shoqërisë civile.

Z.Robert  Gajda – Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili theksoi peshën e madhe që ka ky rol tek femijet, funksionin dhe gatishmërinë institucionale në Shqipëri, duke qënë se në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ende roli i Komisionerit nuk ishte funksional.

Në fjalën e saj znj. Zela Koka, Presidente, Shoqata MEDPAK nënvizoi rëndësinë madhore që duhet të ketë mbështetja dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara, cilat janë vështirësitë aktuale në nivel kombëtar dhe sa rol determinativ ka gjithëpërfshirja në drejtimin edukativ, arsimor.

Znj. Olta  Aliaj,  Komisionere e Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve në fjalën e saj evidentoi disa nga problemet me të cilat ndeshet arsimi sot në vendin tonë si dhe rëndësinë e nxitjes së një arsimi gjithëpërfshirës.

z. Bledar Taho, Drejtor,  Intituti i Kulturës Rome u fokusua në sfidat që ndeshin komuniteti Rom dhe Egjyptian në mjediset shkollore dhe rolin e madh angazhues që duhet të ketë çcdo profesionist në gjithëpërfshirjen kulturore të komuniteteve të ndryshme në Shqipëri.

znj. Dhurata Myrtollari, Fituese e Çmimit Kombëtar “Mësuesja e Vitit”, të CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Koalicionit të Arsimit dhe njëkohësisht Drejtoreshë e Shkollës “Sarina”, u ndal gjatë tek roli i mësuesit, metodikat gjithëpërfshirëse përmes tre vendeve dhe sfidave të vazhdueshme që mësuesit ndeshin.

Takimi rajonal i mësuesve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut zgjat 2 ditë, në data 28-29 Prill. Në ditën e dytë të takimit do të shpallet edhe Platforma kombëtare online për gjithëpërfshirjen në arsim dhe do të nënshkruhet marrëveshja e përbashkët për krijimin e rrjetit rajonal të mësuesve për mësimdhënien gjithëpërfshirëse.


Detajet e Lajmit
May 10, 2023
737
Kategoria