CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), në kuadër të reformës zgjedhore, ribëjnë publike sot kërkesën tonë për uljen e moshës për të votuar në 16 vjeç. Kjo kërkesë është bërë publike për herë të parë në vitin 2018, por Kuvendi asnjëherë nuk e shqyrtoi atë.
Vota është një e drejtë politike dhe të rinjtë duhet të vendosin për jetën dhe të zgjedhurit e tyre!
Kjo jo vetëm forcon demokracinë, por i bën ata edhe më të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që kanë për vetën, shoqërinë dhe komunitetin ku jetojnë! Kufizimet që shoqëria ka vendosur për votën e të rinjve janë të bazuara në argumenta të vjetëruar të një shoqërie ku të rinjtë nuk kishin aksesin në informacion dhe dije që kanë sot! Kjo barrierrë duhet shembur një herë e mirë! VOTO 16!
Shqipëria ka qenë ndër vendet e para në Europë që njohu të drejtën e votës për gratë, që në vitin 1920. Një vend me këtë histori nuk mund t’i thotë JO të drejtës së të rinjve që të vendosin për përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe në Bashki!
Shumë vende kanë miratuar uljen e moshës për të votuar në 16 vjeç. Në Gjermani, Austri, Skoci, Norvegji, Argjentinë, Brazil dhe SHBA, gëzojnë këtë të drejtë për zgjedhjet vendore apo dhe ato kombëtare. Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, si dhe politikanët progresistë po kërkojnë të drejtën e votës për personat 16 vjeç për të gjithë të rinjtë në Europë. Zhvillimi i vendit, aksesi në arsim dhe teknologji, në vendimarrje në familje, komunitet, në shkolla dhe në Këshillat Bashkiakë, i ka dhënë dhe i jep mundësi adoleshentëve anembanë Shqipërisë për të qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e votës, si dhe për të vendosur për veten dhe interesat e tyre.
Në këtë kuadër, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ANYN i drejtojnë këtë Peticion të Hapur Kuvendit të Shqipërisë, Komisionit për Ligjet dhe të Drejtat e Njeriut dhe Klubit të Deputetëve të Rinj në Kuvend, si dhe të gjitha partive politike parlamentare me këtë kërkesë:
Ulni moshën e votimit në 16 vjeç!
Ne ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë, të rinj e të reja, deputetë, politikanë, ministra, kryetarë bashkish e këshillash bashkiakë, çdo të interesuar të bashkohet me këtë Peticion për t’i dhënë një perspektivë të re demokracisë në Shqipëri.
ARGUMENTA QË MBËSHTESIN ULJEN E MOSHËS PËR TË VOTUAR
Ka një sërë argumentash pse duhet lejuar votimi në moshën 16 vjeç:
- Ulja e moshës së votimit fuqizon demokracinë, pjesmarrjen e të rinjve në vendimarrje si dhe I bën ata më të përgjegjshëm për rolin e tyre në shoqëri, komunitet dhe institucione.
- Ulja e moshës së votimit përputhet me parimet e demokracisë duke u dhënë të gjithë individëve, pavarësisht moshës, mundësinë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor dhe në Qeverisje.
- Votimi është një e drejtë themelore që nuk duhet kufizuar në bazë të moshës, pasi adoleshentët dhe të rinjtë ndikohen nga vendimet politike po aq sa edhe individët në një moshë më të rritur.
- Adoleshentët dhe të rinjtë kanë të njëjtat përgjegjësi si të të rriturit, por u mohohen të njëjtat të drejta.
- Adoleshentët dhe të rinjtë paguajnë taksa dhe zbatojnë ligjet njësoj si çdo qytetar tjetër i rritur. Ata duhet të gëzojnë të drejtën e votës!
- Politikanët do t’u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të adoleshentëve dhe të të rinjve, nëse ata do të mund të votojnë.
- Adoleshentët do të kenë një mundësi unike në jetën e tyre, sepse do të marrin përgjegjësi për të vendosur për të sotmen dhe të ardhmen e tyre.
- Njohuritë dhe eksperinca nuk janë një kriter për të votuar.
- Të rriturit sot vendosin për çdo çështjet që ka të bëjë me të rinjtë. Pse të mos vendosin vetë të rinjtë për veten e tyre?!
- Ulja e moshës së votimit sjell perspektiva dhe ide të reja nga një demografi që shpesh është e nënpërfaqësuar në politikë, duke mundësuar kështu tejkalimin e hendekut midis brezave dhe garantimin e pasqyrimit të nevojave dhe shqetësimeve të të gjitha grupmoshave.
- Ulja e moshës së votimit ndihmon në angazhimin dhe edukimin e brezave të rinj për procesin politik që në moshë më të hershme, duke nxitur pjesëmarrjen qytetare aktive që në moshë të hershme.
- Ulja e moshës së votimit ndihmon në fuqizimin e komuniteteve, qyteteve dhe institucioneve tona, pasi sjell më afër tyre zërin dhe interesat e të rinjve.