Tiranë, 2 Shkurt 2024 – Ndërkohë që përgatitjet për Ditën Ndërkombëtare për Internetin e Sigurt po vijojnë, Linja Kombëtare për Sigurinë në Internet për Fëmijët, iSIGURT.al, ka ndezur që prej dy javësh motorët e Fushatës Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, nëpërmjet një fushate online që po zhvillohet në të gjitha rrjetet sociale.



E quajtur “50 personazhe për internet më të sigurtë në Shqipëri” iSIGURT së bashku me CRCA/ECPAT Shqipëri çdo ditë deri në fund të muajit Mars, do të publikojnë mesazhet që 50 personazhe, që vijnë nga fusha të ndryshme të jetës dhe angazhimit politik e shoqëror, kanë në lidhje me internetin e sigurtë. Në fokus të fushatës janë fëmijët dhe të rinjtë, por nisur nga realiteti I ngjarjeve në Shqipëri, është menduar që të zgjerohet diapazoni i mesazheve drejtuar grupeve të caktuara shoqërore.

Fushata u hap me mesazhin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Ministres Muzhaqi, Ambasadorit të BE-së në Tiranë, për të vazhduar më pas me mesazhet e personazheve të njohur të televizionit, si Luana Vjollca, Ermal Peçi, Eni Çobani, të muzikës si Rovena Dilo, apo personalitete të njohur nga politika, media dhe fusha sociale, si: Arta Dade, Nora Malaj, Zhaklin Lektari etj. Në ditët e në javët në vijim fushata do të shohë politikanë, gazëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile apo të botës së radio-televizionit, që do të ndajnë mesazhet e tyre sigurinë kibernetike të fëmijëve.



Po në këtë kuadër pjesë e fushatës do të bëhen edhe vetë fëmijët e të rinjtë, pjestarë të komuniteteve të rrezikuara nga gjuha e urrejtjes, sidomos në internet si Romët, persona me aftësi të kufizuar dhe përfaqësues të komunitetit LGBTI në Shqipëri.


Kjo është fushata e parë kombëtare me personazhe publike që iSIGURT organizon. Dita e Internetit të Sigurt, që këtë vit organizohet në datën 6 Shkurt, angazhon në të gjithë botën me miliona njerëz, të cilët duan që interneti të bëhet një hapësirë sa më e sigurtë për këdo.


Në Shqipëri eventi kryesor në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Internet të Sigurt do të organizohet në datën 7 Shkurt, ku do të prezantohen dy raporte tepër të rëndësishme për sigurinë online të fëmijëve dhe gjuhën e urrejtjes kundër grave dhe vajzave në Shqipëri.


Për më shumë informacion, na shkruani:

iSIGURT.al

E-mail: isigurt@crca.al


Deetajet e Lajmit
February 27, 2024
679