Zyra e Mbrojtjes Ligjore Falas së CRCA Shqipëri: 34 fëmijë përfitojnë ndihmë ligjore parësore dhe dytësore falas

Zyra e Mbrojtjes Ligjore Falas së CRCA Shqipëri: 34 fëmijë përfitojnë ndihmë ligjore parësore dhe dytësore falas

Në më pak se 4 muaj, që nga dhënia e autorizmit nga Ministria e Drejtësisë, fëmijët dhe të miturit kanë përfituar nga mbështetja ligjore falas e juristëve dhe avokatëve të CRCA / ECPAT Shqipëri

Vetëm në 4 muajt e fundit të vitit 2020, 34 fëmijë dhe të rinj kanë kërkuar ndihmë ligjore dhe shërbime parësore dhe dytësore, përsa i përket qasjes së tyre përkundrejt organeve të drejtësisë në Shqipëri si dhe atyre të administratës publike.

1. Ai është 15 vjeç dhe mbi të rëndojnë 280 procedime penale. Ka nisur të tregojë sjellje anti-sociale apo në kundërshtim me ligjin që në moshën 8 vjeçare, si shkak i humbjes së njërit prej prindërve dhe varfërisë së tejskajshme në familje.

2. Ajo është 15 vjeçe dhe prej vitesh ka përjetuar dhunë seksuale nga bashkëshorti i nënës së saj. Pasi vendosi ta denoncojë, FLA dhe ekspertët e saj ndoqën të gjitha hetimet për zbardhjen e plotë të çështjes. I akuzuari ndodhet në paraburgim në pritje të gjykimit.

3. Nënë e bijë kanë jetuar për vite me radhë nën dridhjen e humorit pijedashës të bashkëshortit dhe babait, ndërsa janë viktima të dhunës seksuale dhe fizike. Pasi morën mbështetje nga FLA dhe siguruan një urdhër mbrojtjeje nga dhunuesi, të dyja janë duke marrë ndihmë juridike falas të nevojshme për procesin gjyqësor civil dhe penal.

Këto janë vetëm 3 prej historive që fëmijët dhe adoleshentët përjetojnë dhe që i vendosin, ata apo edhe familjet e jetët e tyre në udhëkryq. Këta fëmijë dhe adoleshentë, nuk janë vetëm viktima të dhunës seksuale, apo asaj fizike e psikologjike. Këta fëmijë janë edhe viktima të krimeve, ndërsa një pjesë janë bërë edhe pjesë e tyre.

Ndonëse në Shqipëri koncepti i mbrojtjes ligjore falas për fëmijët dhe të rinjtë, është zhvilluar në mënyrë të ngadaltë, Zyra e Mbrojtjes Ligjore Falas në Shqipëri, tashmë konsiderohet si një shërbim i domosdoshëm për rritjen e aksesit në drejtësi për ta. Shifrat e rasteve që ajo trajton në periudha kohore e bëjnë atë një shërbim të pazëvendësueshëm në vendin tonë. Puna e saj profesionale e kanë kthyer atë në një prej shërbimeve më të kërkuara në vend.

Zyra për Mbrojtjen Ligjore Falas të Fëmijëve dhe të të Rinjve në Shqipëri,u krijua nga CRCA në vitin e largët 1999 dhe në gjithë këto vite ka trajtuar më shumë se 300 çështje ndërsa mbi 2000 fëmijë dhe të rinj kanë përfituar nga shërbimet e saj në të gjithë Shqipërinë.

Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, nënvizon se “Fokusi kryesor i punës së FLA është mbrojtja ligjore e fëmijëve dhe të rinjve, kur atyre iu shkelen të drejtat nga institucionet shtetërore, familja etj. Zyra ka arritur një numër shumë të madh të trajtimit të rasteve me një trend pozitiv në zgjidhjen e çështejeve, gjë që e kthen në një domosdoshmëri funksionimin dhe bashkëpunimin e ndihmën që të gjitha struktuart duhet ti japin këtij shërbimi.”

Vetëm disa muaj më parë CRCA/ECPAT Shqipëri u përzgjodh dhe u autorizua nga Ministria e Drejtësisë si një ndër 12 organizatat e para në Shqipëri për ofrimin e ndihmës ligjore parësore për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë vulnerabël, përfshi edhe familjet e tyre. “Ky vendim na jep jo vetëm përgjegjësi, por edhe peshën e provës së suksesit të ndihmës ligjore që tashmë i kaloi shoqërisë civile” – tha Altin Hazizaj.

Fëmijët dhe të rinjtë që janë viktima të dhunës apo viktima të veprave penale, por edhe ata që kanë kryer verpa penale, vijnë pranë Zyrës për Mbrojtjen Ligjore Falas (FLA), dhe gjejnë aty informacion profesional mbi të drejtat e tyre, sistemin ligjor dhe ligjet në Shqipëri, marrin këshillim mbi procedurat gjyqësore apo ato të ndërmjetësimit, ndihmë në përpilimin e dokumentave në kërkim të ndihmës juridike dytësore dhe përfaqësim pranë organeve gjyqësore apo atyre administrative.

Një prej ekspertëve të kësaj zyre, Jozef Shkambi thotë se “Nga 34 rastet e marra për trajtim, FLA ka trajtuar 17 fëmijë viktima të mitur të veprave penale dhe fëmijë në konflikt me ligjin, 10 fëmjijë viktima të abuzimit dhe trafikimit seksual, 3 raste viktima të dhunës në familje, etj. Shqetësues është fakti se numri i fëmijëve në moshë të mitur që janë në konflikt me ligjin po shtohet nga viti në vit.”

FLA, gjithashtu ka realizuar ndërhyrjen e saj profesionale ligjore edhe në monitorimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me zbatimin e legjislacionit të drejtësisë për të mitur në Shqipëri. Po ashtu Zyra ka punuar për të paraqitur propozime ligjore mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri, Kodin e Familjes, Regjistrin e Krimeve Seksuale etj.

 

Për më shumë informacion:

Zyra e Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri

Tel: 0675002025

Email: fla@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL