Ministria e Drejtësisë përzgjedh CRCA/ECPAT Shqipëri për të ofruar shërbime ligjore falas për fëmijët dhe të rinjtë e pambrojtur

Ministria e Drejtësisë përzgjedh CRCA/ECPAT Shqipëri për të ofruar shërbime ligjore falas për fëmijët dhe të rinjtë e pambrojtur

Të gjithë fëmijët dhe të rinjtë, viktima të dhunës, diskriminimit apo në konflikt me ligjin, do të marrin tashmë edhe më shumë shërbime juridike parësore nga Zyra e Mbrojtjes Ligjore Falas të CRCA/ECPAT Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe partnerët tanë ALO 116-111 dhe Ambasada PINK!

 

Tiranë, 10 Shtator 2020 – CRCA u përzgjodh dhe u autorizua sot si një ndër organizatat e para në Shqipëri për ofrimin e ndihmës ligjore parësore për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë vulnerable, perfshi edhe familjet e tyre, që kanë nevojë për këtë lloj ndihme. Ministria e Drejtësisë, mes 15 aplikimeve të ardhura nga organizatat e shoqërisë civile, vendosi të autorizojë CRCA/ECPAT Shqipëri, si një prej organizatave më me përvojë dhe e shtrirë në të gjithë vendin për ofrimin e ndihmës juridike parësore për qytetarët shqiptarë.

Në ceremoninë e sotme të autorizimit të organizatave jofitmprurëse ofruese të ndihmës juridike parësore, të zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, Drejtori i CRCA, Altin Hazizaj, nënvizoi rëndësinë e këtij procesi duke kërkuar që vëmendja e institucioneve shqiptare të kthehet drejt viktimave të dhunës seksuale.

“Ne përgëzojmë Ministrinë për mbylljen me sukses dhe në transparencë të plotë të këtij procesi – tha Hazizaj në emer të CRCA/ECPAT Shqipëri – tani e gjithë pesha e provës së suksesit të ndihmës parësore i kalon shoqërisë civile, ndaj ne i urojmë suksese të gjitha organizatave partnere në përmbushjen e këtij misioni tepër të vështirë.”

CRCA/ECPAT Shqipëri ofron mbështeje dhe ndihmë ligjore falas prej tashmë 20 vjetësh në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve viktima të dhunës dhe atyre në konflikt me ligjin. Autorizimi nga ana e Ministrisë së Drejtësisë do të thotë që tashmë shërbimet tona ligjore që jepen falas do të gëzojnë edhe mbështetjen e buxhetit të shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Ndihmës Juridike të ofruar nga shteti. Kjo krijon mundësi për rritjen e numrit të përfituesve të shërbimeve juridike parësore, që është edhe një kusht për integrimin European të Shqipërisë për rritjen e aksesit në drejtësi të grupeve më të pambrojtura të shoqërisë.

Në shërbimet juridike parësore përfshihet dhënia e informacionit profesional mbi sistemin ligjor dhe aktet normative të Shqipërisë, këshillimi mbi procedurat gyjqësore apo ato të ndërmjetësimit, ndihmë në përpilimin e dokumenantave në kërkim të ndihmës juridike dytësore dhe përfaqësim para organeve admistrative etj.

CRCA/ECPAT Shqipëri prej 23 vitesh ka ngritur disa nga shërbimet më të rëndësishme në mbrojtje të fëmijëve dhe të të rinjve. Që prej vitit 2011 ajo është liçensuar për të ofruar të tilla shërbime të specializuara në nivel komunitar dhe kombëtar.  

 

Për më shumë info, kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

Tel: +355675002025

E-mail: crca@crca.al

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL