
Tiranë, 7 Dhjetor 2018 – Në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë në Shqipëri, përfaqësues të qeverisë, deputetë, shoqëri civile dhe të rinjtë u mblodhën në një Forumi Kombëtar, më të madhin të organizuar për të rinjtë në Shqipëri. Në këtë Forum u diskutua mbi sfidat e të rinjve në vend, migrimi, arsimimi dhe punësimi dinjitoz i të rinjve.
Qëllimi i tij ishte ndërtimi i një dialogu që vendos të rinjtë në qendër të tij dhe që jep zgjidhje praktike që përmirësojnë adresimin e tyre nga qeveria, institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe sindikatat!
Në këtë Forum Kombëtar, deputetja mikpritëse Elisa Spiropali dhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj. Lindita Nikolla ndërtuan një debat me të rinjtë e pranishëm jo vetëm mbi protestën më të fundit të studentëve për uljen e tarifave të shkollimit, por edhe mbi problematikën e gjerë që paraqet arsimimi i të rinjve në vend.
Në debatet e zhvilluara në këtë forum, erdhën edhe shumë shifra të sfidave me të cilat përballet rinia Shqiptare. Sipas sondazheve më të fundit të Gallup rreth 79% e të rinjve në vend dëshirojnë të largohen nga Shqipëria, një shifër alarmante kjo që kërkon një përgjigje nga Qeveria Shqiptare dhe të gjitha institucionet e saj.
Ndërkohë papunësia e të rinjve në vend, ka arritur në shifra shqetësuese. Rreth 26% e tyre janë të papunë dhe kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përkatëse për të krijuar programe të nxitjes së punësimit të të rinjve në Shqipëri.
Përgjatë diskutimeve deputetët e pranishëm, funksionarët e institucioneve dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile diskutuan mbi problematikat kryesore të rinisë në vend dhe adresuan edhe platforma të ndryshme për zgjidhjen e tyre.
Forumi Kombëtar u parapri nga një Panair i Organizatave Rinore në vend, të cilat prezantuan punën e tyre me përfaqësues të qeverisë, deputetë, përfaqësues të institucione publike, të rinj nga e gjithë Shqipëria, agjensi të zhvillimit dhe përfaqësues të ambasadave të ndryshme në vend.
Në forum u vlerësuan me Çmimin Kombëtar “Të Rinjtë e Vitit 2018”, edhe 3 nga 12 të rinjtë finalistë që konkuruan në tre kategori të shoqërisë civile. Fituese e kategorisë “Avokues dhe Mbrojtës i të Drejtave të Njeriut” ishte Kristi Qëndro, në kategorinë “Nxitës i pjesëmarrjes në vendim-marrje/vullnetarizëm të të rinjve” fitoi Kristian Kina dhe në kategorinë “Krijues i Modeleve dhe Shërbimeve Rinore” fitoi Florian Dedja.
Forumi Kombëtar u nda në 4 sesione plenare me temat: Të jesh i ri në Shqipëri; Migrimi i të Rinjve, Brain Dain apo përfitim Ekonomik; Arsimi i të Rinjve në Shqipëri; Puna me dinjitet e të rinjve në shoqëri, si dhe Një Pakt Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri.
Forumin e organizuan Rrjeti Kombëtar i të Rinjve në Shqipëri (ANYN), Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), Aleanca Kombëtare e Studentëve (AKS), në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar të Punës dhe Çështjeve Sociale e Shëndetësisë, Child and Youth Policy HUB Albania, dhe nën mbështetjen e GIZ Albania.