
Tiranë, 12 Qershor 2009 – CRCA në bashkëpunim me Koalicionin për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, i cili është i përbërë nga një sërë organizatash të shoqërisë civile, që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të grave, të njeriut e fëmijëve në Shqipëri, organizoi sot Forumin e Hapur me temë: “PROMOVIMI I KANDIDATEVE TE RINJ PER DEPUTETE NË ZGJEDHJET E ARDHSHME”. Forumi u mbështetet nga Olof Palme International Centre dhe SIDA.
Qëllimi i forumit ishte promovimi i kandidatëve të rinj për deputetë të të gjithë spektrit politik, përpara publikut të gjerë dhe më specifikisht përpara shoqërisë civile në Shqipëri, nëpërmjet prezantimit të platformave, ideve dhe synimeve të tyre si deputetë të ardhshëm.
“Jemi të kënaqur që kemi një numër relativisht të lartë kandidatësh të rinj në këto lista” – tha Altin Hazizaj, moderator i Forumit – “Pavarësisht rezultateve kjo do të jetë një eksperiencë pozitive për këta të rinj”
E ftuar speciale në këtë takim ishte znj. Tugba Kalafatoglu, nga organizata Vote, e cila ka punuar si këshilltare politike për Fushatën e Presidentit Amerikan, Barak Obama, gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA.
Në këtë takim morën pjesë kandidatët për deputetë të të gjithë spektrit politik si nga PS, PDI, PSD, PDS, LZHK, PAD, etj., aktiviste të shoqërisë civile, OJF-ve, Medias, organizatave ndërkombëtare, etj.
Në Forum, përveç prezantimit te kandidatëve dhe ideve të reja që ato sollën, u diskutua bashkarisht me të gjithë pjesmarrësit rreth çështjeve që prekin të rinjtë dhe janë më prioritare për momentin, çështje të tilla si: arsimimi / punësimi/ shërbimet sociale dhe shëndetësore për të rinjtë.
Pas diskutimeve u dol me një serë konkluzionesh dhe rekomandimesh, për të cilat do të punohet për të gjetur zgjidhje nga kandidatët e rinj nëse ata do të jenë deputetë të ardhshëm. Ndër pikat më kryesore mbi të cilat do të punohët, përfshihen rishikimi i legjislacionit për arsimimin profesional dhe punësimin e të rinjve; vendosja e burimeve financiare dhe njerëzore të mjaftueshme për zbatimin e ligjit; krijimi dhe zbatimi i politikave për punësimin e të rinjve sidomos atyre në nevojë; marrja e masave per sigurimin e një mjedisi mbështetës për të rinjtë ; përmirësimi i sistemit ndihmës për të lehtësuar përfshirjen e të rinjve në tregun e punës; reformimi i skemave të mbrojtjes sociale; përmirësimi i infrastukturës për të rritur aksesin e vajzave në shkollë, për trajnime profesionale etj.