
Forumet Politike Rinore Kombëtare së bashku me më shumë se 20 OSHC të mëdha anembanë Shqipërisë nënshkruan Kontratën Rinore Kombëtare, një dokument kombëtar që përcakton prioritetet për politikën rinore për katër vitet e ardhshme.
Tiranë, 6 Qershor 2017– Këtë mëngjes, të gjitha forumet politike rinore dhe më shumë se 20 organizata të shoqërisë civile nga mbarë Shqipëria, mbështetur nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, që punojnë për të rinjtë në 12 qarqe të Shqipërisë, paraqitën dhe nënshkruan në një ceremoni të veçantë Kontratën Rinore Kombëtare, një dokument që synon promovimin e çështjeve rinore gjatë Zgjedhjeve Parlamentare të vitit 2017. Në 25 Qershor, Shqipëria mban zgjedhjet e saj parlamentare dhe të rinjtë janë bashkuar nën logon e Rrjetit Kombëtar pët të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) për të promovuar prioritetet e të rinjve për katër vitet e ardhshme.
Kontrata Rinore Kombëtare u ndërmor nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN në bashkëpunim me CRCA Shqipëri dhe me mbështetjen e Koalicionit për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri – ACCE.
Kontrata Rinore Kombëtare është një dokument që përmban problematikat dhe nevojat më prioritare të të rinjve në vend, si: a) Rritja e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të të rinjve në vendimarrje; b) Punësimi i të rinjve dhe sipërmarrja rinore; c) Karta Rinore Kombëtare; d) Arsim cilësor dhe formimi profesional; e) Qendrat rinore dhe hapsirat për të rinjtë; f) Vullnetarizmi; g) Fuqizimi i lëvizjes rinore në Shqipëri; h) Sjelljet sociale dhe shëndeti i të rinjve.
Forumet politike rinore nëpërmjet nënshkrimit të Kontratës Rinore Kombëtare, do të angazhohen të nxisin partitë politike në të cilat aderojnë, që të adresojnë problematikat më prioritare të të rinjve të sipërpërmendura dhe veçanërisht rritjen e përfaqësimit të tyre në Parlament duke filluar nga zgjedhjet parlemantare 2017 dhe duke vijuar me zgjedhjet e ardhshme vendore.
Bërja bashkë e të gjitha forumeve politike rinore është historike për të rinjtë në Shqipëri, veçanërisht sepse shpesh ndarjet partiake dhe konfliktet ndikojnë në punën e përbashkët midis të rinjve. Megjithatë, për shkak të marrëdhënies së gjatë të punës dhe anëtarësimit të tyre në Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, drejtuesit e forumeve rinore kanë filluar të ndërmarin veprime të përbashkëta që nxisin dhe fuqizojnë të rinjtë në nivel kombëtar dhe lokal. Një nga dokumentet e tilla është Kontrata Rinore Kombëtare në Shqipëri.
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri së bashku me organizatat e shoqërisë civile në mbarë vendin dhe forumet politike rinore, prej nisjes së vitit të ri parlamentar në muajin Shtator, do të avokojnë dhe monitorojnë zbatueshmërinë e Kontratës Rinore Kombëtare nga partitë politike, Qeveria dhe Kuvendi i ardhshëm. Gjithashtu, nëpërmjet Kontratës Rinore Kombëtare organizatat e shoqërisë civile do të kërkojnë nga Parlamenti i ardhshëm miratimin e Rezolutës së Rinisë, të depozituar në Kuvend nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri në 15 Dhjetor 2016.
Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni:
Z. Klaudio Pulaha
Koordinator Rinor Kombëtar
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN)