Europarlamentari Knut Fleckenstein, reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, në takimin e tij me Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri kërkon angazhim më serioz të Qeverisë Shqiptare për problemet e të rinjve. Nga ana e tij Rrjeti kërkoi që Raporti i Progresit të BE-së të ketë një seksion për gjendjen e të rinjve.

Tiranë, 9 Nëntor 2018 – Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) zhvilloi sot një takim me Reporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, z. Knut Fleckenstein, për të adresuar disa nga problematikat më kyçe të rinisë në vend. Përfaqësuesit e ANYN e njohën delegacionin europian me situatën dhe çështjet më emergjente për të rinjtë në Shqipëri.   
Të rinjtë në Shqipëri përballen me një sërë sfidash, ku një ndër më shqetësueset është migrimi. Anketa e fundit e Gallup mbi të rinjtë në Ballkan tregoi se thuajse 80 përqind e të rinjve nga Shqipëria duan të largohen nga vendi, thuajse sa dyfishi i disa prej vendeve të tjera ballkanike. Raporti më i fundit i ANYN dhe CRCA “Rinia në Shqipëri 2017” paraqiti të dhëna tronditëse për gjendjen e të rinjve në vend në lidhje me papunësinë, buxhetin e shtetit për të rinjtë apo edhe arsimimin e tyre.Thuajse 50% e të dënuarve për krime në Shqipëri i përkasin moshës 15-30 vjeç. Vendi nuk ka asnjë politikë sociale apo të drejtësisë për grup-moshën 21-30 vjeç!
Gjatë takimit Eurodeputeti Fleckenstein, kërkoi që Qeveria Shqiptare të dëgjojë zërin e të rinjve. Ai premtoi që do të jetë në krah të Rrjetit Kombëtar për të rinjtë në Shqipëri, për të nxitur një dialog me bazë të gjerë dhe të qëndrueshëm mes vendim-marrësve dhe të rinjve në Shqipëri. Po ashtu u ra dakord që së bashku me ANYN do të organizojnë takime periodike  për të diskutuar rreth situatës së të drejtave të të rinjve në Shqipëri.
Në fund të takimit, Z. Fleckenstein organizoi një konferencë për shtyp me të gjitha mediat në vend, ku theksoi rolin kryesor që duhet të ketë rinia në politikë-bërjen dhe vendimarrje. Ai i kërkoi përfaqësuesve të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe Qeverise Shqiptare, që të forcojnë bashkëpunimin me Rrjetin kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, për të dëgjuar zërin e tyre dhe për përfshirjen e të rinjve në proceset demokratike të vendit.


Detajet e Lajmit
November 9, 2018
343
Kategoria