Tiranë, 15 Tetor 2020 – ECPAT International dhe CRCA/ECPAT Shqipëri bënë sot publik raportin “Shqipëria: Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime seksuale”, icili është raporti më i fundit ndërkombëtar, që fokusohet tekevidentimi i rreziqeve që ekspozojnë fëmijët në trafikim, shfrytëzim seksual, pornografi dhe turizëm seksual. Raporti u prezantua edhe në kuadër të Ditës Europiane kundër Trafikimit të Personave, duke sjellë një realitet shqetësues për fëmijët në Shqipëri, të cilët vijojnë ende të jenë viktima të shfrytëzimit seksual dhe trafikimit në vendet fqinje si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqi, apo vendet e BE-së si Italia, Hollanda, Gjërmania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Raporti “Treguesit e Përgjithshëm të Vendit, Shqipëria: Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime seksuale” nga ECPAT International, organizata më e madhe në botë që lufton kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe trafikimit të tyre, paraqet shkallën, format dhe kontekstin e shfrytëzimit të fëmijëve në Shqipëri dhe faktorët që nxisin apo mbajnë gjallë shfrytëzimin e fëmijëve.
Përgjatë prezantimit online të Raportit, Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, nënvizoi faktin se: “Raporti tregon se Shqipëria ka nevojë të ketë një qasje tërësisht të re përkundrejt fenomeneve që nxisin shfrytëzimin seksual apo trafikimin e fëmijëve. Plani i ri i Veprimit kundër trafikimit të qënieve njerëzore duhet që përfundimisht ta heq Shqipërine nga harta e vendeve me trafikim të fëmijëve për qëllime seksuale.”
Vetëm në dy vitet e fundit Shqipëria renditet në vendin e parë për numrin e fëmijëve të pashoqëruar në Itali, duke numëruar rreth 1393 minorenë të pashoqëruar nga prindërit në këtë vend dhe një target i lehtë për tu trafikuar e shfrytëzuar, ndërkohë që të paktën 200 fëmijë nga Shqipëria raportohen çdo vit të trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar. Personat vulnerabël shpesh janë viktima jo vetëm të shfrytëzimit seksual, por edhe punës së detyruar, skllavërisë, apo edhe shitjes së organeve.
Raporti ndër të tjera evidenton faktin e përfshirjes së familjeve në trafikimin e fëmijëve të tyre. Një vit më parë raport i Europol-it tregoi se në shumicën e rasteve të trafikimit të fëmijëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së për shfrytëzim seksual, familjet e viktimave ishin përfshirë në procesin e trafikimit të fëmijëve të tyre.
Raporti “Shqipëria: Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime seksuale”, bazohet në renditjen e vendeve në Indeksin Global të Shfrytëzimit Seksual të Fëmijëve të Njësisë së Inteligjencës të The Economist – ku vendi ynë pozicionohet mes vendeve si Xhamajka e Mongolia, duke marrë notën 49.8, shumë larg vendeve të tjera të Ballkanit apo Europës Lindore.
Raporti po ashtu sjell në vëmendje situatën e fëmijëve Romë, të cilët janë veçanërisht të prekshëm ndaj trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual për shkak të mbi-përfaqësimit të tyre në popullatat e fëmijëve të rrugës. Martesat e hershme të fëmijëve apo ato të detyruara mbështeten gjithashtu një problem që ekpozon vajzat drejt shfrytëzimit seksual, prostitucionit dhe trafikimit.
Përsa i përket kornizës ligjore, ndonëse vendi ynë ka ligje të forta përsa i përket dhunës seksuale, përsëri ato nuk ndalojnë në mënyrë specifike blerjen e shërbimeve seksuale nga fëmijët, as angazhimin ose kërkimin e një fëmije me qëllim të shfrytëzimit seksual përmes prostitucionit. Meqenëse ligji nuk bën asnjë dallim midis prostitucionit të fëmijëve dhe të rriturve, ekziston rreziku që fëmijët të trajtohen si shkelës të ligjit në lidhje me këtë fenomen- pra si persona që kryejnë një krim kur në fakt ata janë viktima të shfrytëzimit.
Raporti i ECPAT International është një mjet efektiv për të avokuar për eleminimin e shfrytëzimit seksual dhe trafikimit të fëmijëve në të gjitha nivelet, si dhe për të monitoruar dhe analizuar angazhimet e Qeverisë dhe mekanizmave të tjerë për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë shfrytëzimi.
Raportin e përmbledhur në shqip mund ta gjeni më poshtë.
Për më shumë, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al