
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Rome (8 Prill), Qëndra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), YWCA dhe Observatori për të Drejtat e Fëmijëve në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë dhe organizatat e shoqërisë civile, mbështetur nga UNICEF, zhvilluan sot në ambjentet e Parlamentit të Shqipërisë aktivitetin “Fëmijët bisedojnë me politikanët”.
Mëngjesi i sotëm ka qenë i veçantë për ligj-vënësit dhe stafin e Parlamentit por edhe më i veçantë ishte për 75 fëmijët romë që vizitonin për herë të parë godinën më të rëndësishme të vendit të tyre.Të ardhur nga treva të ndryshme të vendit, fëmijët u mirëpritën nga Kryetari i Parlamentit, Z. Ilir Meta dhe u takuan me deputetë të të gjithë spektrit politike që janë të angazhuar me çështjet dhe nevojat e fëmijëve. Nëpritje, spikatën anëtarë të Komisioneve të çështjeve sociale, punës, shëndetësisë dhe nën-Komisioneve të të drejtave të njeriut, të miturve, barazisë gjinore, dhunës në familje etj. Takimi u ndoq gjithashtu edhe nga Znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe Sportit, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës por edhe të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Shëndetësisë, Brendshme, Komisionerja për Mbrojtjen nga Diskriminimi, etj.
Fëmijët u ulën në tryeza pune me ligjvënësit dhe mundën të flasin për veten, familjet e tyre, mjediset ku jetojnë, shkollat që ndjekin dhe aktivitetet që kryejnë me organizatat dhe fondacionet e ndryshme. Sëbashku me facilitatorët e CRCA, si dhe organizatat e shumta të të drejtave të fëmijëve që iu bashkuan aktivitetit, si ADRA, SHKEJ, Fshati SOS, Arsis, Qëndra Fëmijët Sot, Save the Children, FBSH, Romani Baxt etj, fëmijët mundën të bëjnë vizatime të ndryshme me tema si familja ime, komuniteti im, shkolla ime, shtëpia ime, qyteti im etj. Vizatimet u bashkëvendosën në një telajo të madhe e cila në fund iu dhurua për ekspozim Kuvendit të Shqipërisë.
Një tjetër moment special ishte çelja e ekspozitës “Çdo fëmijë Rom në Kopsht” i cili pasqyron proçesin e vështirë të rregjistrimit të fëmijëve romë në kopsht si dhe realitetin e tyre të përditshëm. Edukimi i hershëm i fëmijëve romë është identifikuar si një nga shanset më të mëdha që i duhet garantuar çdo fëmijë rom, në mënyrë që ata të mos bëhen subjekt përjashtimi social vitet në vazhdim.
Çështje të rëndësishme të tilla si rritja e përgjegjësisë së institucioneve arsimore për tërheqjen e fëmijëve romë në kopshte dhe shkolla, amendimi i ligjeve përcaktimin e buxheteve specifike për territore ku banojnë shumë fëmijë romë, caktimi i buxheteve speciale në nivel lokal për integrimin e fëmijëve romë, rregjistrimi i tyre etj mbeten ende për tu zgjidhur nga Parlamenti dhe institucionet e tjera vendim-marrëse dhe ekzektutive të vendit.
8 Prilli, Dita Ndërkombëtare Rome i dedikohet historisë, traditës dhe kulturës rome dhe është thirrje për të avancuar përfshirjen sociale të këtij komuniteti. Kjoditë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballet komuniteti Rom dhe në të njëjtën kohë promovon kulturën dhe traditën romë si vlerë e shoqërisë shqiptare.
Statistikat tregojnë se mbi 50% e qytetarëve romë nuk janë popullsi migruese dhe kanë jetuar në të njëjtin vend përgjatë 20 viteve të fundit. Gjithsesi, integrimi i komunitetit dhe ofrimi i shërbimeve mbeten sfidë e shtetit shqiptar, shoqërisë shqiptare dhe vetë komunitetit rom.