
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijës dhe 30 vjetorit të ratifikimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës nga Shqipëria, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Grupi i deputetëve Miqtë e Fëmijëve organizuan seancë të përbashkët dëgjimore ku fëmijët ishin në qendër të kërkimit të llogarisë nga institucionet për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.
Tiranë, 8 Nëntor 2022 – CRCA/ECPAT Shqipëri, në bashkëpunim me Grupin e Deputetëve Miqtë e Fëmijëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, organizuan takimin “SHQIPËRIA: 30 vjet Konventa për të Drejtat e Fëmijës.”
Shqipëria 30 vjet më parë ratifikoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së. Ndonëse vendi ka bërë progres në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijës, një sërë sfidash vijojnë të mbeten në këtë drejtim.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve (20 Nëntor) dhe 30 vjetorit të ratifikimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, GDMF dhe CRCA organizuan një seancë të posaçme dëgjimore të deputetëve me fëmijët, pasi këta të fundit në shtator kishin raportuar për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Komitetin për të Drejtat e Fëmijës së OKB-së në Gjenevë.
Fëmijët erdhën nga grupet e CRCA/ECPAT Shqipëri, Save the Children në Shqipëri (Zëri 16+) dhe Sos Fshatrat e Femijeve. Ata ndanë me deputetët shqetësimet thelbësore të jetës dhe shkollimit të tyre, gjendjen e familjeve, varfërisë apo vendit ku jetojnë, si dhe rekomandimet e tyre për të përmirësuar këtë situatë.
Grupi i Deputetëve Miqtë e Fëmijëve i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, vitin e ardhshëm në kuadër të planifikimit të punës së tyre do të punojë nga afër me fëmijët, që axhenda e punës së deputetëve të përfshijë sa më gjerë kërkesat e fëmijëve!
Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna, shfrytëzimi seksual, migrimi i parregullt dhe trafikimi, e drejta e fëmijëve për arsim dhe arsimi transformativ, siguria online e fëmijëve dhe mbrojtja e tyre, shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve, përfshi fëmijjët që kërkojnë azil në BE dhe përgjegjësitë e Kuvendit dhe institucioneve qendrore për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, ishin çështjet mbi të cilat u shtruan të gjitha diskutimet në këtë aktivitet.
Nëntori është një muaj i rëndësishëm për të drejtat e fëmijëve si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në Shqipëri. Data 18 dhe 19 Nëntor janë dy ditë ndërkombëtare kushtuar parandalimit dhe ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj fëmijëve. Data 20 Nëntor është Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Ndërkohë këtë vit, Shqipëria bën 30 vjet që ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, duke i hapur rrugën që në vitin e largët 1992, mbrojtjes, respektit dhe avancimit të të drejtave të fëmijëve.