Tiranë, 10 Shkurt 2021 – Nga sot fëmijët dhe të rinjtë që janë në konflikt me ligjin, apo që kanë nevojë për ofrimin e shërbimeve ligjore, psikologjike, arsim profesional dhe punësim, do ti kenë ato të siguruara nga CRCA/ECPAT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës.
Drejtori i këtij institucioni, z. Bernard Durro dhe Drejtori Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri, z. Altin Hazizaj lidhën sot në mjediset e Drejtorisë së Shërbimit të Provës, marrëveshjen e bashkëpunimit për ofrimin e shërbimeve të integruara për fëmijët dhe të rinjtë në konflikt me ligjin në Shqipëri. Prej vitesh Drejtoria e Shërbimit të Provës dhe CRCA/ECPAT Shqipëri kanë një bashkëpunim tejet pozitiv dhe kjo marrëveshje bashkëpunimi përforcon më tej punën për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin si dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
CRCA/ECPAT Shqipëri prej datës 1 Shtator 2020, po zbaton nismën “Shpresë për Fëmijët dhe të Rinjtë në Konflikt me Ligjin në Shqipëri” në kuadër të projektit “Kontributi për përmirësimin standardeve të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë sistemit penitensiar në Shqipëri” i cili financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga TLAS në partneritet me Fondacionin Qendra Europiane në Shqipëri.
Në këtë kuadër CRCA/ECPAT Shqipëri ofron, përmes Qendrës Kombëtare për Rehabilitimin dhe Riintegrimin e të Miturve në Konflikt me Ligjin, shërbime integruese për fëmijët dhe të rinjtë në konflikt me ligjin si: Informim, këshillim dhe mbështëtje psiko-sociale; Ndihmë ligjore falas; Monitorim dhe asistim për mbarëvajtjen e procesit të riintegrimit të fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin; Mbështetje për riintegrimin në shoqëri të fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin përmes rritjes së kapaciteteve të tyre me anë të kurseve profesionale; Këshillim karriere dhe ndërmjetësim me institucionet publike për ofrimin e punësimit për të rinjtë në konflikt me ligjin në mënyrë që ta kenë sa më të lehtë riintegrimin.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Qendra Kombëtare pwr Rehabilitim dhe Rintegrimin e Fëmijëve në Konflikt me Ligjin
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al