Kronikat e vrasjeve dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave janë bërë thuajse të përditshme në Shqipëri. Vetëm disa ditë më parë, dy gra u vranë barbarisht nga bashkëshortët e tyre. Vetëm 3 javë më parë një burrë në sy të fëmijëve, dhunon dhe vret gruan. Vetëm një javë më parë 3 gra të tjera dhunohen egërsisht nga bashkëshortët e tyre në Kuçove, Tiranë, e në fshatin Gurrë të Vogël.
Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se në vitin 2018 u regjistruan 2.3 viktima për çdo 100 mijë banorë të vendit, duke shënuar kështu një rritje me 15 për qind në krahasim me një vit më parë.
Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë për dhunën dhe vrasjet e vajzave dhe grave në vend.
Sipas raportit “Studimi global për vrasjet e lidhura me gjininë për gratë dhe vajzat”, publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC), Shqipëria renditet ndër vendet me normën më të lartë të vrasjeve, me 0.7 vrasje për 100.000 gra krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.
Ka mbi tre javë që televizionet po shfaqin abuzimin seksual të vajzave të mitura nga mësuesit e tyre në shkolla publike! Dhuna seksuale ndaj vajzave është dhunë me bazë gjinore, por Qeveria ka zgjedhur të heshtë!
Kjo është një shkelje tepër e rëndë e të drejtave të fëmijëve. Studimi i CRCA/ECPAT Shqipëri ”Krimet Seksuale ndaj Fëmijëve dhe Grave në Shqipëri” i vitit 2019, tregoi se vetëm 42% e krimeve seksuale dënohen nga gjykatat në Shqipëri, një ndër shifrat më të ulta të dënimeve në Europë dhe në Botë! Qeveria shqiptare ka zgjedhur që të bëhet palë me grabitqarët seksuale të vajzave tona! Ajo as ka reaguar ndaj rasteve dhe as ka marrë asnjë masë për të ndryshuar situatën!
KJO ËSHTË E PATOLERUESHME! KRIMET NDAJ FËMIJËVE VAJZA NUK MUND TË LIHEN PA U DËNUAR! QEVERIA DUHET TË MARRË PËRSIPËR PËRGJEGJËSITË E SAJ!
Së bashku me të gjitha organizatat tona partnere, do të vijojmë të protestojmë për të kërkuar drejtësi për të gjitha vajzat e dhunuara seksualisht në mjedise shtetërore! Dhuna në një mjedis shtetëror është dhunë institucionale, e dënueshme nga çdo ligj apo konventë ndërkombëtare! Kur ajo ndodh, përgjegjësia kryesore bie mbi Qeverinë dhe zyrtarët e saj publikë!
Të premten, datë 6 Mars 2020, CRCA/ECPAT Shqipëri, organizoi në vijim Marshim-Protestën e 4-ët paqësore, duke filluar nga Sheshi Skënderbej dhe përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, me ndalesë para Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit, nën moton:
DREJTËSI PËR KRIMET SEKSUALE NDAJ VAJZAVE NË SHKOLLAT PUBLIKE!
Pjesëmarrja e shoqërisë civile tregoi forcën dhe vendosmërinë tonë për të arritur mbrojten e të drejtave të grave dhe vajzave në Shqipëri, të atyre që vuajnë, por nuk kanë fuqi të flasin, të atyre që dhunohen por nuk kanë guxim të tregojnë, të atyre që vriten por nuk kanë mundësi të mbrohen!
Heshtja vret!