CRCA/ECPAT Shqipëri proteston për të kërkuar drejtësi dhe veprime të menjëhershme për çdo fëmijë të dhunuar në Shqipëri

Tiranë, 05 Nëntor 2021 – Nisur nga ngjarja e fundit e një 6 vjeçare, e cila ende nuk dihet nëse do të mund t’i rezistojë dhunës barbare të ushtruar nga babai i saj,CRCA/ECPAT Shqipëri protestoi përpara ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, për të këkruar njëzëri drejtësi për fmëijët e dhunuar. Duket se situata në vendin tonë po precipiton ditë pas dite, pasi vetëm në këto 5 ditë ngjarjet e dhunimeve seksuale të fëijëve kanë qenë edhe kryefjala e publikut dhe mediave. Nga ana tjetër duket se politika nuk po merr aspak parasysh këtë gjendje alarmuese në të cilën ndodhen fëmijët në Shqipëri. 
Studimi më i fundit “Zërat e të Mbijetuarve në Shqipëri”, sjell realitetin se në vendin tonë100% e viktimave nuk kanë dijeni apo kanë mungesë të theksuar të informacionit mbi mekanizmat zyrtarë të raportimit në dispozicion të tyre si edhe të platformave dhe linjave të veçanta të raportimit, përfshirë platformat e bazuara në ueb dhe ato të krijuara posaçërisht për fëmijët. Gjithashtu viktimat embijetuara shfaqin mungesë të theksuar besimi në rolin e shërbimit psiko-social në shkolla dhe profesionalizmit që këta të fundit tregojnë gjatë punës së tyre, rreth 60% e të intervistuarve deklarojnë se stafi pedagogjik apo shërbimet mbështetëse psikosociale në shkolla nuk tregohen aspak të vëmendshme për situatën e viktimave të dhunës seksuale.
Raporti tjetër “Analiza e sistemit të mbrojtjes fëmijëve bazuar në rastet e abuzimit seksual të fëmijëve”, solli të dhënat se 32% e dhunuesve të fëmijëve në vendin tonë i përkasin grup-moshës nga 14-24 vjeç dhe grupmosha 10-14 vjeç është më e prekura nga krimet seksuale me 44% të rasteve të raportuara, e ndjekur nga grupmosha 15-18 vjeç që ze 36% të rasteve. Nga ana tjetër, Jugu i Shqipërisë renditet në vendin e parë përsa i përket raportimit të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve me 50 % të rasteve të raportuara, e ndjekur nga Shqipëria e Mesme me 42 % të rasteve, ndërsa Veriu i vendit me 8 % të tyre.
Studimet tregojnë se Drejtësia në Shqipëri është një sistem që arrin të dënojë vetëm 42% të krimeve seksuale.
Në kuadër edhe të hapjes së Fushatës Kombëtare të përvitshme “Fjongo BLU: Kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri” dhe për të kërkuar drejtësi për fëmijët e dhunuar në vendin tonë, dhe për të kërkuar veprime të forta dhe të menjëhershme të institucioneve shqiptare, CRCA/ECPAT Shqipëri proteston për t’i thënë JO dhunës ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri!
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj theksoi se:” Shqipëria po përballet çdo ditë me shifra alarmante të rritjes së dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Kjo situatë nuk mund të lerë askënd të papërfshirë. Nuk mundet që politika të heshtë! Nuk mundet që ligjvënësit të heshtin! Nuk mundet që institucionet të mos reagojnë! Ne të gjithë bashkë duhet të ngremë zërin për ti detyruar ingranazhet e pushtetit që të veprojnë urgjent dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse për ti thënë STOP dhunës seksuale ndaj fëmijëve!”.