
Tiranë, 20 Shkurt 2021 – Deputetja Fatjona Dhimitri, i ka drejtuar Kuvendit të Shqipërisë së fundmi kërkesën zyrtare për marrjen në shqyrtim dhe miratimin e projekt-ligjit të përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri mbi “Regjistrin kombëtar të të dënuarve të krimeve seksuale në Shqipëri”.
Në një letër zyrtare drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, deputetja ka inicuar nismën e saj ligjvënëse në drejtim të diskutimit dhe miratimit të këtij projekt-ligji kaq shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për situatën aktuale të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri.
Projekt-ligji është përgatitur nga ekspertët më të mirë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve të CRCA/ECPAT Shqipëri, Barnahus Albania, si dhe juristët e avokatët e Zyrës së Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri. Ai u prezantua disa muaj më parë nga CRCA dhe është konsultuar me institucionet publike, njesitë e mbrojtjes së fëmijëve dhe organizatat e shoqërisë civile kudo në Shqipëri.
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, duke falenderuar deputeten për këtë nismë, u shpreh se “Tashmë është përgjegjësi e të gjithë ligjvënësve për të vijuar loftën tonë të përditshme në mbrojtje të fëmijëve dhe adoleshentëve nga grabitqarët seksualë.”
Projekt-ligjika për qëllim të parandalojë krimet dhe dhunën seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri, nëpërmjet vëzhgimit dhe kontrollit të lëvizjeve të personave të dënuar apo të vetë-regjistruar si pedofilë. Ai bazohet në eksperiencën legjislative dhe praktikat më të mira të disa vendeve, si: Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Irlanda, SHBA dhe Maqedonia e Veriut.
Regjistri do t’i shërbejë institucioneve publike dhe atyre private, që punojnë me dhe për fëmijët, për të eleminuar punësimin e pedofilëve në mjedise ku ka fëmijë, ndërsa vetë ligji ka një karakter të fortë social dhe parandalues. Ky projekt-ligj vjen në një moment kur Shqipëria prej 2 vjetësh është përfshirë nga një sërë ngjarjesh të rënda të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në shkolla, shtëpi fëmijësh apo nga vetë prindërit.
Rritja e ndërgjegjësimit të fëmijëve dhe adoleshentëve mbi dhunën seksuale, ka sjellë rritjen e raportimeve në polici, shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve dhe atyre të dhunës në familje. Të paktën 1 në 10 fëmijë në Shqipëri është viktimë e dhunës dhe ngacmimeve seksuale online dhe në jetën e përditshme.
CRCA/ECPAT Shqipëri prej mbi 5 vitesh ka kërkuar ngritjen e Regjistrit Kombëtar të krimeve seksuale, duke u angazhuar së fundmi edhe në përgatitjen e projekt-ligjit.
Për më tepër informacion, kontaktoni në:
CRCA/ECPAT Shqipëri, e-mail; crca@crca.al