
Tiranë, 24 Shtator 2018 – Një rrjet i gjerë i organizatave të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, dorëzuan sot raportin për ciklin e 3-të të Rishikimit Periodik Universal (UPR) të OKB-së, ndërkohë që shteti do të raportojë për gjendjen në muajin maj të vitit të ardhshëm.
Raporti u përgatit nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), Rrjeti Kombëtar Për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijë (ALO 116), Rrjeti Kombëtar për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri “Vepro për Fëmijët“ dhe ECPAT Shqipëri. Raporti është përqendruar te shqetësimet kryesore lidhur me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri përgjatë një periudhë 4 vjeçare.
Shifrat dhe të dhënat më shqetësuese që përcjell raporti lidhen me nivelin e varfërisë, arsimimin, dhunën ndaj fëmijëve dhe të rinjve, papunësinë dhe ikjen e të rinjve nga vendi, si dhe me problematikat e aksesin në drejtësi.
Raporti sjell në vëmendje faktin se më shumë se 40% e popullsisë shqiptare jeton në një vend të huaj, ndërsa lindjet janë ndër më të ultat në Europë. Shqipëria vazhdon të jetë ende një nga vendet më të varfëra, ku 14 përqind e popullsisë jeton në varfëri absolute, ndërsa rreth 33 përqind në varfëri relative.
Dhuna është e pranishme në jetën e të gjithë fëmijëve. Në Shqipëri, 1 në 2 fëmijë është viktimë e dhunës fizike, ndërsa pothuajse 20 përqind e adoleshentëve në shkollat publike ankohen për diskriminim. Rreth 41% e fëmijëve kanë përjetuar një formë të dhunës psikologjike, ndërsa 1 në 5 nxënës raportojnë se kërcënohen nga mësuesi. Sistemi i drejtësisë dënon vetëm gjysmën e personave që kryejnë krime seksuale ndaj fëmijëve.
Vendi ka mungesa të konsiderueshme të të dhënave mbi trafikimin e fëmijëve. Raportet tregojnë se mbi 5000 fëmijë nga Shqipëria janë të pashoqëruar apo janë viktima të trafikimit ndërkombëtar dhe kontrabandimit. Siguria e fëmijëve në internet zë një hapësirë të rëndësishme në raport. Raporti thekson se organet ligjzbatuese shpesh nuk kanë mundësinë që të kapin autorët e veprave penale online. Në vitin 2016, CRCA Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale, krijuan një platformë kombëtare për fëmijët dhe të rinjtë për të raportuar online një përmbajtje të papërshtatshme dhe të paligjshme. Mbi 200 raste janë raportuar deri më sot në platformën www.ISIGURT.al
Raporti për herë të parë është fokusuar edhe tek situata e të rinjve dhe të rejave. Shqipëria renditet si një nga vendet me shkallën më të lartë të papunësisë afatgjatë te të rinjtë. Buxheti kombëtar për të rinjtë përfaqëson vetëm 0.01 përqind të buxhetit të përgjithshëm të shtetit. Kriminaliteti i të rinjve në vend ka ardhur në rritje dhe rrjedhimisht thuajse gjysma e të dënuarve janë të rinj nën moshën 29 vjeç, për shkak të varfërisë, mungesës së programeve, shërbimeve dhe qendrave për të rinjtë.
Në raport janë përfshirë një sërë rekomandimesh për përmirësimin e situatës.
Është hera e tretë që Shqipëria raporton në procesin e Rishikimit Periodik Universal (Universal Periodic Review – UPR). Qëllimi i procesit të raportimit është vëzhgimi nga afër i situatës së të drejtave të njeriut në çdo vend anëtar të OKB-së dhe dhënia e rekomandimeve për përmirësinin e saj. Raporti zyrtar i shtetit shqiptar do të merret në konsideratë në 6 Maj 2019, në sesionin e 33-të të Grupit të Punës të UPR të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.