Tiranë, 8 Nëntor 2021 – U dorëzua sot në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligji i përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri mbi “Regjistrin kombëtar të të dënuarve të krimeve seksuale në Shqipëri”. Kjo nisëm ligjore e një rëndësie të veçantë e përgatitur nga CRCA/ECPAT Shqipëri u dorëzua në Kuvend nga deputetja e Parlamentit Shqiptar dhe njëkohësisht edhe pedagogia e Fakultetit Juridik, Erisa Xhixho.
Nisma që nisi disa muaj më parë nga ligjvënësit shqiptarë, merr sot rëndësinë e saj në diskutim e shqyrtim dhe më pas edhe në miratimin e këtij projekt-ligji kaq shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për situatën aktuale të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri.
Projekt-ligji i cili bazohet edhe në eksperiencën legjislative dhe praktikat më të mira të vendeve europiane, është përgatitur nga ekspertët më të mirë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve të CRCA/ECPAT Shqipëri, Barnahus Albania, si dhe juristët e avokatët e Zyrës së Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri.  Ai ka për qëllim të parandalojë krimet dhe dhunën seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri, nëpërmjet vëzhgimit dhe kontrollit të lëvizjeve të personave të dënuar apo të vetë-regjistruar si pedofilë.
Projekt-ligjii kërkuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri prej më shumë se 5 vitesh, u prezantua një vit më parë nga CRCA dhe është konsultuar me institucionet publike, njesitë e mbrojtjes së fëmijëve dhe organizatat e shoqërisë civile kudo në Shqipëri.
Regjistri kombëtar i të dënuarve të krimeve seksuale në Shqipëri,do t’i shërbejë institucioneve publike dhe atyre private, që punojnë me dhe për fëmijët, për të eleminuar punësimin e pedofilëve në mjedise ku ka fëmijë, ndërsa vetë ligji ka një karakter të fortë social dhe parandalues. Ky projekt-ligj vjen në një moment kur Shqipëria prej 2 vjetësh është përfshirë nga një sërë ngjarjesh të rënda të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në shkolla, shtëpi fëmijësh apo nga vetë prindërit.
Rritja e ndërgjegjësimit të fëmijëve dhe adoleshentëve mbi dhunën seksuale, ka sjellë rritjen e raportimeve në polici, shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve dhe atyre të dhunës në familje.
Studimet dhe raportet sjellin faktin se të paktën 1 në 10 fëmijë në Shqipëri është viktimë e dhunës dhe ngacmimeve seksuale online dhe në jetën e përditshme.