Tiranë – 7 Shkurt 2024 – Dita e Internetit të Sigurt hapi sot siparin e aktiviteteve të saj avokuese dhe ndërgjegjësuese me një seri aktivitetesh anembanë Shqipërisë. Në mëngjes një pjesë e shkollave organizuan që në orën e parë në hapje të mësimit një orë ndërgjegjësuese për rreziqet me të cilat fëmijët dhe adoleshentët përballen online dhe mjetet e mënyrat sesi ata mund të qëndrojnë të sigurt në internet.
Ndërkohë, organizatorët e DIS në Shqipëri, bënë publike një deklaratë drejtuar autoriteteve publike në Shqipëri, me dy kërkesa bazë: krijimi i një arkitekture të re institucionale dhe ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në internet dhe reformimin tërësor të autoriteteve përgjegjëse, të cilat shihen si tepër të dobta për të mbrjtur fëmijët nga rreziqet që vijnë në internet.
Pjesë e aktiviteteve të ditës ishte edhe Fushata Kombëtare për Internet të Sigurt, që në Shqipëri këtë vit vjen nën moton: 50 personazhe dhe personalitete për një internet më të sigurt. Pjesë e fushatës janë bërë katër ministra të Qeverisë shqiptare, personalitete nga fusha e medias dhe shoqërisë civile, akademia, arti dhe muzika etj. Fushata do të vijojë çdo ditë me nga një personazh deri në fund të muajit shkurt.
Ndërkohë që në datën 7 u organizua eventi kryesor për Ditën për Internet të Sigurt për Fëmijët, i cili ishte Forumi I 9-të Kombëtar për Internet të Sigurt. Forumi është kthyer në një event kombëtar të përvitshëm, të organizuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri, ku institucionet, shoqëria civile, ekspertët dhe përfaqësues të industrisë së internetit diskutojnë mbi problemet e raportuara nga fëmijët dhe masat që mund të ndërmerren.
Gjatë Forumit, iSIGURT prezantoi dy raporte të rëndësishme: Raportin Vjetor Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Fëmijëve në Shqipëri, si dhe Raportin Statistikor “Gjuha e Urrjejtjes ndaj Vajzave dhe Grave në Shqipëri me të dhëna të viteve 2018-2023. Ndërkohë që avokatja e CRCA/ECPAT prezantoi për pjesmarrësit mangësitë ligjore që legjislacioni I vendit ka në drejtim të krijimit të një hapësire kibernetike sa më të sigurt për këdo.
Në hapje të Forumit, dy ndër kompanitë kryesore të internetit në Shqipëri: Vodafone dhe Abissnet nënshkruan Paktin Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna, i cili në 20 Nëntor 2023 u nënshkrua nga katër ministritë kryesore të Qeverisë Shqiptare. Pakti vendos në qendër të tij nevojën për më shumë bashkëpunim, shkëmbime dhe koordinimin ndërmjet institucioneve, organizatave dhe industrisë për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, kudo ku ajo ndodh si në jetën dixhitale ashtu edhe në jetën reale.
Në Shqipëri, Dita për Internet të Sigurt organizohet që nga viti 2005, me një sërë eventesh publike nën drejtimin e iSIGURT.al, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-111. Ajo ka si qëllim që të promovojë përdorimin e sigurt dhe pozitiv të teknologjisë dixhitale, veçanërisht midis fëmijëve dhe të rinjve.
Dita e Internetit të Sigurt synon të krijojë një internet më të sigurt dhe më të mirë, ku të gjithë jemi të fuqizuar të përdorim teknologjinë me përgjegjësi, respekt, kritikë dhe kreativitet. Fushata synon të arrijë tek fëmijët dhe të rinjtë, prindërit dhe kujdestarët, mësuesit, edukatorët dhe punonjësit socialë, industrinë e internetit dhe komunikimit, vendimmarrësit dhe politikanët etj., për të inkurajuar të gjithë që të luajnë rolin e tyre në krijimin e një mjedisi në internet sa më të mirë për këdo. Duke festuar fuqinë pozitive të internetit, slogani i Ditës për Internet të Sigurt “Së bashku për një internet më të mirë” inkurajon të gjithë që t’i bashkohen lëvizjes, të marrin pjesë dhe të shfrytëzojnë sa më shumë potencialin e internetit për të bashkuar njerëzit.
Për një organizim sa më të mirë të fushatës këtë vit në Shqipëri, të gjitha materialet ndërgjegjësuese në gjuhën shqipe, u vendosën në faqen e ëeb dhe të disponueshme për këdo, si fleta informuese për shërbimet e ISIGURT.al, Materiali për mësuesit: Si të organizojmë një orë informuese për sigurinë online, materiali bazë për fushatën e komunikimit, posterat e fushatës etj., në lidhjen: https://www.isigurt.al/fushata-kombetare-per-internet-te-sigurt-ne-shqiperi-2024
Për më shumë informacion, kontaktoni:
iSIGURT.al