
Korçë, 19 Dhjetor 2024 – Dita e Rinisë solli së bashku institucionet publike, shoqërinë civile dhe biznesin në Qarkun Korçë, me qëllim kryesor zhvillimin dhe mbështetjen e të rinjve. Nën moton “Mundësi të Reja për Zhvillimin dhe Mbështetjen e të rinjve në Qarkun Korçë”, CRCA/ECPAT Shqipëri me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, prezantuan Planet Vendore për të rinjtë, si dhe zhvilluan Panairin e Zhvillim-Punësimit Rinor në Qarkun Korçë.
“Sot është një ditë e veçantë pasi kurorëzojmë suksesin e Qendrës së Shërbimeve Rinorë, një punë e nisur me shumë mund një vit më parë dhe që sot na tregon se po të japësh mbështetjen e duhur për të rinjtë ata gjithnjë ia dalin.” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.
Në kuadër të Ditës së Rinisë morën pjesë një numër i gjerë përfaqësuesish nga institucione shtetërore, pushteti lokal, ekspertë nga organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset. Të pranishëm ishin Kryetarët dhe nën-kryetarët e Bashkive partnere, Kryetari i Qarkut, përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive Korçë, Drejtoria Arsimore, si dhe organizata partnere dhe bizneset kryesore në Qarkun Korçë.
Pjesëmarrësit u njohën me Planet Vendore për të Rinjtë, të cilat janë hartuar pas një procesi konsultimesh me të rinjtë, Këshillat Rinorë dhe organizatat rinore të bashkive Korçë, Pogradec, Maliq dhe Devoll. Këto plane kanë në fokus përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve, duke adresuar nevojat dhe sfidat lokale dhe promovuar zhvillimin ekonomik, politik dhe social, si dhe angazhimin e të rinjve në aktivitete qytetare dhe vendimmarrje.
Një tjetër moment i rëndësishëm i Ditës së Rinisë ishte zhvillimi i Panairit të Zhvillim-Punësimit Rinor Korçë, ku të rinjtë u informuan mbi mundësitë e shërbimeve rinore dhe punësimit. Panairi solli së bashku institucione publike, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të promovuar mundësitë që ata ofrojnë për të rinjtë, si kurse, trajnime, internship dhe mundësi punësimi. Mbi 20 biznese lokale hapën stendat e tyre dhe ofruan për të rinjtë mundësi për praktika pune dhe punësim.
Në vijim, u zhvillua Ekspozita “Youth Photo Lab – Korçë”, ku të rinjtë pjesëmarrës ekspozuan punimet e tyre nga kurset e fotografisë, që Qendra zhvilloi gjatë muajve Tetor – Nëntor. Mbi tridhjetë të rinj e të reja paraqitën punimet e tyre në konkursin e fotografisë. Komisioni vlerësoi 5 punime si fituese. Fituesit e konkursit të fotografisë morën dhurata speciale në një ceremoni të veçantë që u organizua gjatë panairit.
Qendra e Shërbimeve Rinore, e hapur në Dhjetor 2023, ka ofruar deri tani shërbime për thuajse 2000 të rinj e të reja në Qarkun Korçë. Kjo qendër, e cila funksionon si një zyrë me një ndalesë, ka për qëllim të drejtojë dhe mbështesë të rinjtë dhe të rejat që jetojnë në territorin e Bashkive Pogradec, Maliq, Korçë dhe Devoll, duke i udhëzuar ata në rrugëtimin e tyre drejt arsimit, fuqizimit personal, zhvillimit të karrierës dhe formimit profesional, deri në arritjen e punësimit të denjë. Kjo qendër, duke ofruar mbështetje të gjerë dhe mundësi zhvillimi, është një hap i rëndësishëm për të ndihmuar të rinjtë në arritjen e potencialit të tyre dhe integrimin e suksesshëm në shoqëri dhe tregun e punës.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al