Tiranë, 12. 04. 2018 – Deputetët e rinj të të gjitha grupimeve politike në Kuvendin e Shqipërisë, prej më shumë se 6 muajsh, kanë punuar së bashku dhe kanë rënë dakord për krijimin e Aleancës së Deputetëve të Rinj (ADR). ADR mbështetet nga CRCA Shqipëri dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN).
Duke qenë se përfaqësimi i të rinjve është rritur ndjeshëm në Kuvendin e Shqipërisë, ku në këtë mandat janë 14 deputetë të rinj nën moshën 35 vjeç, kjo duhet të reflektojë edhe përmirësim të cilësisë dhe aspekteve të tjera të jetës së të rinjve në mbarë vendin. Aleanca e Deputetëve të Rinj do të jetë një grup informal i deputetëve të rinj në Kuvendin e Shqipërisë, ku së bashku nën këtë grupim pavarësisht përkatësive të ndryshme politike, ata do të përfaqësojnë dhe avokojnë për zgjidhjen e problematikave të të rinjve në të gjithë Shqipërinë.
Aleanca e Deputetëve të Rinj do të ketë për qëllim fuqizimin e deputetëve të rinj; avokimin për t’u dhënë zë problematikave të të rinjve në të gjithë Shqipërinë; nxitjen e krijimit të politikave e programeve kombëtare për mbështetjen e të rinjve; forcimin e llogaridhënies së qeverisë, si dhe mbështjen dhe fuqizimin e lëvizjes së të rinjve në Shqipëri. Gjithashtu, Aleanca e Deputetëve të Rinj do të angazhohet për të miratuar në Parlament “Rezolutën e parë Rinore”, të depozituar nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri në datën 15 Dhjetor 2016.
ADR do të synojë të krijojë një klimë mbështetëse për çështjet e të rinjve nga Kuvendi i Shqipërisë, si dhe përmes veprimeve të përbashkëta do të ndikojë në përmirësimin dhe hartimin e politikave kombëtare dhe lokale favorizuese për të rinjtë që rrjedhimisht do të çonte në përmirësimin e jetës dhe fuqizimin e tyre.
Ideja dhe nevoja për krijimin e kësaj Aleance u adresua dhe diskutua për herë të parë nga ANYN dhe CRCA Shqipëri në Seancën e 1-rë Dëgjimore për të Rinjtë në Kuvend, me Nënkomisionin për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore, Dhunës në Familje, në 15 Dhjetor 2016. Përgjatë kësaj seance, CRCA dhe ANYN adresuan si shqetësim tek deputetët e pranishëm, mungesën e një komisioni, nën/komisioni apo një strukture mbështetëse për të rinjtë në Kuvendin e Shqipërisë.
Kjo Aleancë do të krijohet bazuar në modelet e suksesit të Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, mbështetur nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve – CRCA dhe Rrjeti Kombetar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN.
Për më shumë informacion, kontaktoni: Klaudio Pulaha, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, tel: 067 500 20 21, E-mail: klaudio.pulaha@crca.al