
Tiranë, 23 Shtator 2021 – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministra e Arsimit, vetëm pak ditë më parë bënë publike dy urdhër-vendime që vijojnë të zbatohen për të dytin vit radhazi mbi masat ndaj Covid 19, të detyrueshme për tu zbatuar nga të gjitha institucionet arsimore në Shqipëri, në hapje të vitit të ri shkollor.
Urdhëri i Majit 2020, i cili është i detyrueshëm për të gjitha institucionet arsimore, përcakton rregullat që duhet të ndjekin nxënësit, mësuesit, sanitarët, drejtuesit dhe prindërit për mbrojtjen nga Covid në mjediset e shkollave.
Pavarësisht se në tërësinë e tyre masat kanë karakter mbrojtjes, çfarë të bën përshtypje nga përmbajtja e Urdhërit të Komitetit Teknik për Masat anti-Covid të Ministrisë e Shëndetësisë, është se ato prekin gjerësisht disa nga të drejtat bazë të tyre, me tendencë drejt shkeljes së tyre.
Urdhëri Nr.289, i lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përcakton sa më poshtë:
Fëmijëve ju ndalohet të konsumojnë ushqim, brenda klasave apo mensave të shkollës;
Fëmijët janë të detyruar çdo ditë të jenë pjesë e dezinfekimit të detyrueshëm. Mësuesit duhet të sprucojnë duart e fëmijëve me alkool, ndërsa fëmijët detyrohen që të pastrojnë këpucët në vaska uji të klorinuar në hyrje të shkollës.
Mjediset e brendshme duhet të jenë të ajrosura gjatë të gjithë kohës, që do të thotë që dritaret e klasave duhet të mbahen të hapura gjatë të gjithë kohës.
Së fundi, ndalohet zhvillimi i pushimeve të gjata ndërmjet orëve të mësimit, që përgjithsësisht përdoren nga fëmijët për të ngrënë ushqim, zhvilluar lojra apo përmbushur nevojat e tyre jetike.
CRCA/ECPAT ka lexuar me vëmendje protokollet e rekomanduara nga OBSH-ja apo edhe të shteteve të tjera, por ne nuk ishim në gjendje të identifikonim në asnjë rast një shtet apo një rekomandim, që i ndalon fëmijëve të konsumojnë ushqimin e gatuar nga familjet e tyre apo të blerë gjatë ndjekjes së shkollës. Për më tepër institucione prestigjoze në SHBA dhe Europë konfirmojnë se nuk ka asnjë lidhje ndërmjet konsumimit të ushqimit dhe Covid.
Duke ditur se një pjesë e mirë e fëmijëve, për shkak të varfërisë dhe kushteve sociale, nuk konsumojnë vaktin e darkës, por atë të mëngjesit të gatuar nga familja, do të thotë që me një vendim të pakonsultuar me publikun e aq më tepër me fëmijët, Komiteti Teknik privon fëmijët nga ushqimi, duke shkelur kështu haptazi të drejtën e tyre për mbijetesë dhe zhvillim.
Ndërkohë, përdorimi i alkoolit në mënyrë të përsëritur ka tendencën të dëmtojë fëmijët. Këtij shqetësimi i shtohet edhe ai i përdorimit të solucioneve kimike (klorinë e lëngshme), e cila dihet që dëmton aparatin e frymëmarrjes edhe te të rriturit e jo më te fëmijët. Së fundmi, mbajtja e dritareve të hapura gjatë të gjithë kohës, jo vetëm që i ekspozon fëmijët ndaj kushteve ambientale, si pluhur apo smog, por gjatë dimrit që po afron, i ekspozon ata edhe ndaj të ftohtit, kur dihet që shumica e shkollave në Shqipëri nuk kanë ende sisteme të garantuara të ngrohjes.
Nisur nga sa më sipër, CRCA/ECPAT Shqipëri i rekomandon të dyja Ministrive dhe në mënyrë të posaçme Komitetit Teknik anti-Covid, që urgjentisht t’i ri-shikojë këto masa, duke i bërë ato më të përshtatshme për t’u ndjekur nga fëmijët. Në bindjen tonë nuk mundet që dy sisteme, ai shëndetësor dhe arsimor, të ndëshkojnë fëmijët me veprimet e tyre. Kjo është e papranueshme!
Ndonëse Qeveria dhe institucionet e saj kanë përgjegjësi për vendosjen e rregullave për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve nga Covid, këto rregulla nuk mund të shkelin të drejtat e fëmijëve. Në bindjen tonë mos-konsultimi i këtyre vendimeve dhe mungesa e transparencës në përgatitjen dhe miratimin e tyre, me shoqërinë civile, ekspertët e të gjitha fushave dhe vetë fëmijët, i bën ato jo vetëm jo-demokratike, por edhe në kundërshtim me frymën e Ligjit për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, si dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës të OKB-së, ku Shqipëria është shtet palë që nga viti 1992.
Ne kërkojmë sot publikisht fillimin e një konsultimi të gjerë publik për të vendosur jo vetëm rishikimin e këtij urdhëri, por edhe rregullimet e tij bazuar vetëm në nevojat e fëmijëve, duke kërkuar respektimin e të drejtave të tyre. Ne kërkojmë gjithashtu transparencë të plotë dhe të përditshme përsa i përket numrit të nxënësve dhe fëmijëve të prekur nga Covid në Shqipëri.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
Cel: +355675002025
E-mail: crca@crca.al
Kontakti me Mediat:
Albana Mustafaraj
E-mail: albana.mustafaraj@crca.al