
Në zgjedhjet lokalet të 21 Qershorit 2015, vetëm 6 % e kandidatëve për kryetarë janë të rinj!
Tiranë, 4 Qershor 2015 – Nga vëzhgimi që HRH/CRCA Shqipëri, ANYN, Lidershipi i të Rinjve të Tiranës dhe Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të rinjve në Politikë, i ka bërë listave të kandidatëve të të gjitha partive, rezulton se në një total prej 162 kandidatësh për kryetarë bashkish, vetëm 10 kandidatë janë të rinj nën moshën 35 vjeç, ose rreth 6 % e tyre, çka tregon një shifër shumë të ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullatës së re në vend. Kur shikojmë shifrat sipas kandidatëve të çdo partie politike ato tregojnë sa më poshtë:
Partia Demokratike: 61 kandidatë të PD-së në total, 4 janë të rinj nën 35 vjeç, ose rreth 6.5 %.
Partia Socialiste: 41 kandidatë të PS-së në total që garojnë në këto zgjedhje vendore, 0 prej tyre janë të rinj, nën 35 vjeç.
Lëvizja Socialiste për Integrim: 16 kandidatë të LSI-së në total, vetëm 2 janë janë të rinj nën 35 vjeç, ose rreth 12.5 %.
PDIU: 2 kandidatë të PDIU-së, të dy janë të rinj nën 35 vjeç, ose 100%.
Partitë e tjera: Nga 42 kandidatë të pavarur ose të partive të vogla si PSD, PBDNJ, MEGA, AP, etj., vetëm 2 prej tyre janë të rinj ose 4.76 %.
Ndonëse liderat kryesorë të partive në Shqipëri e mbështesin nevojën për rritjen e përfaqësimit të të rinjve në politikë, praktika tregon një realitet tërësisht të ndryshëm. Shpesh pjesmarrja dhe përfaqësimi i të rinjve në politikë përdoret për qëllime elektorale, sesa për ta bërë atë një mundësi reale për pjesmarrje dhe ndryshimi.
Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë përmes kësaj Deklarate Publike shpreh shqetësimin e tij lidhur me qëndrimet e partive politike dhe shifrat e ulëta të pjesmarrjes së të rinjve në listat e kandidatëve për kryetarë bashkish të cilat janë shumë më të ulëta krahasuar me shifrat e pjesmarrjes së grave dhe vajzave.Duke qenë se jemi përpara Zgjedhjeve Vendore 2015, duam që kjo Deklaratë të shërbejë si një kujtesë për politikanët, vendimmarrësit dhe zyrtarët publikë lidhur me detyrimin e tyre për të zbatuar politikat ekzistuese për të siguruar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e të rinjve në të gjitha nivelet.
Nisur edhe nga gjetjet e studimit kombëtar ”Pjesëmarrja e të Rinjve në Politikë dhe Vendim-marrje në Shqipëri”,i cili thekson se nga të dhënat për kryetarë/e bashkish, ku kemi parasysh Zgjedhjet Lokale të vitit 2011, nga 76 kryetarë, vetëm 4 kanë qenë në moshën nën 35 vjeç kur u zgjodhën në postin e kryetarit/es të bashkisë (apo minibashkisë) në rang vendi, del se në vlerë absolute, shifrat e përfaqësimit të të rinjve mbeten mjaft të ulëta krahasuar me shifrat e popullatës së re në vend.
Këto gjetje si edhe përfaqësimi i të rinjve në listat e kandidatëve për Kryetarë të Bashkive përpara Zgjedhjeve Vendore 2015, na përforcon bindjen se pjesëmarrja efektive e të rinjve në politikë mund të garantohet vetëm nëpërmjet vendosjes së mekanizmave institucionale dhe politikë, të cilat garantojnë në një masë të madhe pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e tyre në procesin politik. Një nga mënyrat që ka dhënë efektet e saj në Evropën perëndimore, është vendosja e sistemit të kuotave si mekanizëm detyrues për partitë politike. Gjithashtu Partitë politike në Shqipëri duhet të nisin procesin e rishikimit të statuteve të tyre, në mënyrë që pjesmarrja dhe përfaqësimi i të rinjve, të jetë një proces i gjerë dhe me pjesmarrje.