Tiranë 11 Prill 2023 – Më 14 Maj 2023 qyetarët shqiptarë do t’ju drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor që do të drejtojnë 61 bashki për katër vitet e ardhshme. Në këto zgjedhje do të zgjidhen 61 kryetarë bashkish si dhe 1619 këshilltarë.
Ne vlerësojmë se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për përcaktimin e rrugës së vendit për ndërtimin e një shoqërie demokrative funksionale. Nisur nga kjo qasje, Organizatat e Shoqërisë Civile nënshkruese të kësaj Deklarate i drejtohen të gjitha subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 14 Majit që:
- të respektojnë dhe garantojnë ushtrimin e të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa që cënojnë votën dhe vullnetin e lirë;
- të respektojnë detyrimin për transparencë të plotë të burimit dhe të shpenzimeve përgjatë fushatës zgjedhore dhe procesit zgjedhor;
- të kontribuojnë në një process zgjedhor me integritet;
- të fitojnë besimin e publikut për garantimin e një procesi zgjedhor me standartet më të larta demokratike dhe të pacënueshme nga oferta dhe paratë e krimit dhe të korrupsionit;
- të respektojnë seriozisht deklaratën me shkrim dhe angazhimin solemn sipas Kodit Zgjedhor, për refuzimin për të marrë pjesë në praktikat e blerjes së votës si dhe marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundraligjshme, veçanërisht ato nga aktivitetet kriminale;
- të ofrojnë dhe garantojnë Platforma Elektorale konkuruese, të besueshme e të realizueshme për qytetarët;
- të respektojnë e pranojnë me kulturë demokratike rezultatin e çertifikuar të zgjedhjeve nga KQZ;
- të garantohet prezenca dhe pjesëmarrja e minoriteteve, respektimi i kuotës gjinore, dhe të
shmanget diskriminimi i grupeve të margjinalizuara; - në debatet politike mes përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore dhe/ose kandidatëve të mos përdoret gjuha diskriminuese apo të urretjes;
- të mos përdorin fëmijët dhe imazhet e fëmijëve për qëllime të fushatës elektorale duke respektuar dhe garantuar të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe për t’u mbrojtur nga shfrytëzimi;
Po ashtu, nëpërmjet kësaj Deklarate, organizatat e shoqërisë civile, duke vlerësuar ndikimin e votuesve në zgjedhjen e strukturave vendore, i bëjnë thirrje publikut në përgjithësi dhe në veçanti votuesve në të 61 bashkitë e vendit që:
- të marrin pjesë masivisht në ditën e zgjedhjeve në 14 Maj 2023, për të votuar kandidatët e tyre të preferuar në Bashkitë përkatëse;
- të jenë aktivë në denoncimin e çdo akti që bie ndesh me Ligjin dhe që cënon integritetin e
zgjedhjeve; - të kontribuojnë duke raportuar në institucionet përkatëse si dhe publikisht çdo rast kur kanë informacion se subjektet zgjedhore dhe kandidatët kanë shkelur parashikimet e Ligjit për Dekriminalizimin;
- të refuzojnë çdo aferë financiare ose afera të tjera në këmbim të votës së tyre;
- të mos e shesin të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve jo vetëm për pak, por as për shumë para;
- të raportojnë në kohë rastet e tentativave për shitblerjen e votave;
- të zgjedhin në krye të bashkive dhe në këshillat bashkiakë figura të pastra dhe me integritet që garantojnë drejtimin me transparencë dhe në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetesës së komunitetit;
- të kërkojnë llogari për realizimin e premtimeve elektorale nga kandidatët për Kryetar Bashkie e anëtarët e Këshillave Bashkiake.
Ne besojmë se mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit demokratik të organeve të qeverisjes vendore është jetike për të ardhmen dhe demokracinë në vend dhe se të gjithë duhet të kontribuojmë për arritjen e saj. Integriteti është një faktor i rëndësishëm si për administrimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, ashtu edhe për pjesëmarrjen e partive politike, kandidatëve, grupeve të interesuara dhe të votuesve. Kandidimi i figurave me të shkuar të dyshimtë është kosto për vetë partitë politike që i kandidojnë, por në radhë të parë është cënim i demokracisë dhe rendit kushtetues. Jemi të bindur se zgjedhjet e lira, të drejta, konkuruese, transparente, gjithëpërfshirëse janë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e të zgjedhurve vendor dhe garanci për një qeverisje vendore më pranë komunitetit dhe që ndikon drejtëpërdrejtë në përmirësimin e jetesës së tij.
Lista e organizatave firmëtare:
- Albania Community Assist – ACA
- Fondacioni Westminister për Demokraci (WFD) Zyra në Shqipëri
- Instituti i Kultures Rome në Shqipëri – IRCA
- Voice of Roma
- Together for Life
- Act for Society
- Shoqata Rrjeti i organizatave “Zëri i të rinjve”
- DEV4ALL
- Instituti për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare
- Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut – QSHDNJ
- Shoqata për Gratë dhe Fëmijët
- Rrjeti per Demokraci – Womens Democracy Network
- Shoqata per Kulture Demokratike ( SHKD)
- Shoqata e Artizaneve dhe Zejeve te Shqiperise
- Roma Versitas Albania
- Sherbimi Ligjor Falas (TLAS)
- Rromano Kham
- Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve
- Fondacioni “Se Bashku”
- Qendra Shqiptare YMCA
- Roma Active Albania
- Shoqata Pertej Barrierave
- Albanian Legal and Territorial Research Institute/ Qendra A.L.T.R.I
- Qendra për Zhvillim Komunitar“Sot për të ARDHMEN”
- AWEN Rrjeti i Fuqizimit të Gruas
- YWCA of Albania
- Qendra per Drejtesi Gjinore ne Shqiperi
- Qendra Psiko -Sociale “Vatra”
- Civil Rights Defenders
- Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
- Instituti për Zhvillimin e Politikave Social Shëndetësore dhe Kërkimore
- CRCA/ECPAT Shqiperi
- Gender Alliance for Development Centre (GADC)
- Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare
- Qendra për Studimin e Poltikave Evropiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal – CRLDS
- Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
- Shoqata Multifunksionale për Kulturë, Edukim dhe Zhvillim
- Qendra për të Drejtat e Gruas Rome
- Fondacioni për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar
- Qendra Epoka e Re
- Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje”
- Qendra Rinore H.A.N.A
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit
- Qëndresa Qytetare
