Tiranë, 4 Prill 2023 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri), organizata kryesore për mbrojtjen e të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve, është tepër e zhgënjyer nga mos-krijimi i Regjistrit Kombëtar të Krimeve Seksuale, tetë muaj pas miratimit të ligjit dhe dy muaj pas hyrjes në fuqi të tij.

Në 21 Korrik 2022, Kuvendi miratoi Ligjin “Për Regjistrin e të Dënuarve për Krime Seksuale”, me 124 vota pro dhe vetëm 1 abstenim. Ligji ishte produkt i një pune të gjatë nga ekspertët më të mirë të CRCA/ECPAT Shqipëri dhe të propozuar si nismë Ligjore nga deputetja Erisa Xhixho, nën-kryetare e Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”.

Në 22 Janar 2023, 6 muaj pas miratimit të tij, ligji hyri në fuqi. Përgjatë kësaj kohe të gjitha institucionet përgjegjëse kishin në dispozicion të gjithë kohën e mjaftueshme për të krijuar Regjistrin; për të regjistruar të gjithë të dënuarit për krime seksuale dhe për ta vendosur atë në dispozicion të palëve të interesuara në e-Albania. Në datë 3 Mars, CRCA/ECPAT Shqipëri i drejtoi një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për të na informuar mbi gjendjen e zbatimit të ligjit dhe krijimit të Regjistrit. Disa ditë më pas jemi informuar se puna për krijimin e regjistrit vijon dhe ne do të mbahemi të informuar.

Në datë 22 Mars bëhen 8 muaj që nga dita e miratimit të ligjit dhe 2 muaj nga hyrja në fuqi e tij, ndërkohë që autoritetet ende nuk kanë njoftuar një datë se kur Regjistri do të jetë i hapur dhe funksional. Gjatë kësaj periudhe institucionet publike, shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore, të shërbimeve shoqërore, ato sportive dhe rezidenciale, kanë vazhduar të punësojnë njerëz që kanë akses tek fëmijët, pa patur asnjë dijeni nëse ndonjëri prej tyre është dënuar për krime seksuale kundër fëmijëve apo personave të tjerë vulnerabël. Pyetja që ne kemi sot për autoritetet publike është: Kujt i intereson mos-krijimi i Regjistrit Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale?

Krijimi i Regjistrit është një domosdoshmëri për Shqipërinë. Ai mbron çdo fëmijë e të rritur nga dhuna, ngacmimi apo shfrytëzimi seksual. Nisur nga rëndësia që ky ligj ka për mbrojtjen e fëmijëve, ne i kërkojmë Kuvendit të Shqipërisë të thërrasë në një seancë urgjente dëgjimore Ministrin e Drejtësisë, Ministrin e Brendshme dhe Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për të na informuar se kur do të bëhet funksional Regjistri dhe kush janë përgjegjësit për mos-krijimin e tij.

Mos-krijimi i Regjistrit në kohën e caktuar nga ligji është tregues i mungesës së përgjegjësisë së autoriteteve publike, por edhe Kuvendit të Shqipërisë, për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga dhuna dhe krimet seksuale.


Detajet e Lajmit
April 3, 2023
1384
Kategoria