Tiranë, 2 Mars 2015
Deklaratë publike
Autoritetet kanë për detyrë t’i garantojnë çdo të riu të drejtën e grevës
Tiranë, 2 Mars 2015 – Shtëpia e të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, ka ndjekur me mjaft kujdes zhvillimet e fundit mbi grevën e urisë të studentëve të Mjekësisë – transferuar prej universiteteve private të mbyllura me vendim të Këshillit të Ministrave- të cilët kërkojnë uljen e tarifave të larta të studimit, pasi ata ndryshe nga studentët e tjerë duhet të paguajnë tarifa 7 herë më të larta.
Pas publikimeve të ditës së djeshme në median e shkruar dhe atë vizive lidhur me ndërprerjen e saj nga ana e Policisë, Shtëpia e të Drejtave të Njeriut shpreh shqetësimin e saj për mënyrën e ndërprerjes së kësaj greve. Sipas medias dhe pamjeve filmike, policia ka hyrë në mjediset e fakultetit rreth orës 2 e 30 të mëngjesit të datës 1 Mars, duke i nxjerrë me forcë 32 studentët e ngujuar aty prej 2 ditësh. Studentët akuzojnë se janë keqtrajtuar në mjediset e Drejtorisë së Policisë. Sipas tyre, një pjesë e kolegëve ishin të gjakosur dhe kanë marrë ndihmë në spitalin e traumës.
Shtëpia e të Drejtave të Njeriut përgëzon Avokatin e Popullit i cili ka ofruar ndihmën e tij për të zgjidhur në rrugë ligjore çështjen, duke ftuar studentët grevistë që të paraqesin pretendimet e tyre për tarifat diskriminuese pranë institucionit të Avokatit të Popullit, në mënyrë që hetimi administrativ të kryhet i plotë dhe gjithëpërfshirës.
Shtëpia e të Drejtave të Njeriut do të donte të sillte në vëmendjen e të gjithë publikut dhe insitucioneve të rendit se e drejta e grevës është një e drejtë politike e çdo individi pavarësisht se kjo e fundit dukej se shkelte të drejtën e studentëve të tjerë të fakultetit të mjekësisë, të cilët kërkonin lirimin e auditoreve për të vijuar normalisht proçesin mësimor. E drejta e grevës është një e drejtë njerëzore po aq sa e drejta për t’u arsimuar. Ndonëse duket sikur në rastin konkret njëra e drejtë kundërshton tjetrën, mos krijimi i kushteve si për të zhvilluar grevën ashtu edhe për të zhvilluar mësimin është një dështim i administratës, universitetit në fjalë për të garantuar që të rinjtë të ushtrojnë të drejtat e tyre në mënyrë të barabartë!
Ndërhyrja e forcave të policisë në orët e vona të natës për të shpërndarë këtë grevë urie përbën shkelje të të drejtave të njeriut duke cënuar lirinë e tyre të mbledhjes e protestës dhe të drejtës për të hyrë në një grevë urie. Sipas normave kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërhyrja e policisë për të penguar një individ apo një grup individësh të ushtrojnë një të drejtë politike për të kërkuar dicka nëpërmjet protestës apo grevës së urisë, është krejtësisht e ndaluar pa një vendim të posaçëm nga gjykata kompetente.
Përsa më sipër Shtëpia e të Drejtave të Njëriut në Shqipëri kërkon:

Policia të shmang kurdo kur është e mundur shperndarjen me forcë të grevave apo mbledhjeve të tilla të të rinjve;
Fakulteti i Mjekësisë të analizojë ngjarjen dhe të nxjerrë përgjegjësitë për moskrijimin e kushteve për studentët grevistë dhe studentët e tjerë për sigurimin e ambienteve të përshtatshme për grevë dhe për vijimin e proçesit mësimor;
Të nxitet dialogu ndërmjet studentëve, shoqërisë civile dhe institucioneve përkatëse të përfshira në këtë cështje për zgjidhjen përfundimtare të kësaj të fundit.


Detajet e Lajmit
March 2, 2015
208
Kategoria