
Vetëm pak ditë më parë Këshilli i Lartë Gjyqësor bëri publike Hartën e re Gjyqësore të Shqipërisë. Ky është një ndër dokumentat me të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë pasi ai ka ndikim të jashtëzakonshëm në akesin dhe qasjen që qytetarët kanë dhe do të kenë në sistemin e drejtësisë për të paktën 30-50 vitet e ardhshme. Ndër të tjera ajo ndikon drejtëpërsëdrejti në gjendjen dhe zhvillimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri dhe qasjen miqësore që sistemi i ri i drejtësisë duhet të ketë përkundrejt një prej grupeve shoqërore më të dëmtuara nga sistemi i vjetër i drejtësisë.
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri) ka ndjekur me vëmendje dhe ka marrë pjesë me ekspertët e saj në konsultimet që KLGJ ka zhvilluar në lidhje me hartën gjyqësore. Në të njëjtën kohë, ne ju bashkuam, pak muaj më parë kur harta e re gjyqësore u bë publike për herë të parë, shqetësimeve të një grupi të gjerë të organizatave të shoqërisë civile, duke shprehur mos-dakordësinë tonë për ndarjen e propozuar. Sot shohim jo pa shqetësim se harta e re e miratuar nga KLGJ nuk ka marrë për bazë asnjë nga sugjerimet dhe rekomandimet tona.
Në një shtet të demokracisë funksionale, sistemi i drejtësisë ngrihet e ndërtohet në shërbim të qytetarëve dhe nevojave të tyre. Ne jemi thellësisht të shqetësuar se si KLGJ ashtu edhe anëtarët e saj nuk kanë marrë për bazë asnjë rekomandim që ka ardhur nga qytetarët në Shqipëri, të shprehur nëpërmjet organizatave të shoqërisë civile. Për me tepër këto shqetësime janë bërë publike prej mëse 6 muajsh, kohë e cila ishte mëse e mjaftueshme që anëtarët e KLGJ-së t’i përgjigjeshin kërkesave dhe pritshmërive të qytetarëve.
Shqipëria vjen nga një histori represive jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë të drejtësisë. Për mbi 45 vjet sistemi i drejtësisë u privua nga pavarësia e tij ndërsa në këto 30 vjet ai u vu përfund nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ndaj qytetarët në Shqipëri kanë etje për më shumë drejtësi e jo më pak. Kjo nuk mund të arrihet me hartën e re gjyqësore të sapo-miratuar.
CRCA/ECPAT Shqipëri, si organizata lider në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve, sot deklarohet hapur se është kundër hartës së re gjyqësore. Ajo jo vetëm që kufizon aksesin në drejtësi për fëmijët dhe të rinjtë, por në bindjen tonë minon sistemin e ri të drejtësisë. Disa nga argumentet tona më kryesore janë:
Harta e re nuk është konsultuar me fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri. Ajo nuk është as miqësore dhe as e përshtatur për të plotësuar nevojat e fëmijëve dhe të rinjve për akses në sistemin e drejtësisë.
Harta e re gjyqësore nuk eleminon gabimet e evidentuara në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, të paktën në këtë 30 vjeçar, duke i konsideruar fëmijët e të rinjtë si objekte, por jo subjekte me të drejta të barabarta në sistemin e drejtësisë;
Harta e re gjyqësore lë tërësisht në harresë dhe pa përgjigje mbrojtjen e fëmijëve viktima të krimit në Shqipëri, duke i lënë ata edhe më të ekspozuar përkundrejt jo vetëm mungesës së aksesit në sistemin e drejtësisë, por edhe shkeljes në vijueshmëri të të drejtave të tyre bazë për mbrojtje dhe siguri, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë (mbrojtja e posaçme);
Së fundmi, harta e re gjyqësore lë përfundimisht pa drejtësi fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.Specialistet dhe mbrojtësit e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve jo vetëm në procesin penal, prej vitesh kanë punuar drejt krijimit të Gjykatës për Fëmijët dhe të Rinjtë. Sistemi aktual i drejtësisë nuk është ndërtuar duke patur në vemendje fëmijët dhe të rinjtë, ndaj ai vijion të shkelë të drejtat e tyre. Harta e re gjyqësore vetëm sa e përforcon edhe më tej shkeljen e të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve në dhe nga sistemi i drejtësisë.
Nisur nga kjo situatë, CRCA/ECPAT Shqipëri i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor të rishikojë edhe një herë vendimin e tij për miratimin e hartës së re gjyqësore, ndërkohë që ne do të marrim të gjitha masat që ky vendim të mos-hyjë në fuqi në gjendjen aktuale, pasi ai seriozisht rrezikon të dëmtojë gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri.