12 Gusht 2024 – Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Rrjeti për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) duan të shprehin shqetësimin e tyre publik se të rinjtë anembanë vendit përballen me mungesën masive të shërbimeve të kujdesit, mbështetjes, pjesëmarrjes dhe fuqizimit rinor në nivel qendror e vendor, e cila rrit tendencën e të rinjve për t’u larguar nga vendi për një jetë më të mirë.
Të dhënat e Eurostat përgjatë 10 viteve të fundit, të ri-konfirmuara edhe nga rezultatet e Census-it, flasin për të paktën 700 mijë të rinj e të reja të larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë drejt vendeve të BE-së. Për një pjesë të të rinjve, aq i domosdoshëm është bërë largimi, sa nuk ngurojnë që të përdorin disa nga rrugët më të rrezikshme për të fituar statusin e azilantit. Migrimi rinor, ndonëse në ulje, vazhdon të sfidojnë realitetin rozë që shpesh Qeveria dhe Bashkitë mundohen të paraqesin për gjendjen e të rinjve dhe të rejave në vend.
Në vemë re, në mënyrë të veçantë, mungesën e programeve të kujdesit dhe mbrojtjes, sidomos për të rinjtë të cilët vijnë nga situata të vulnerabilitetit të theksuar që nga fëmijëria e tyre apo gjendjen të pambrojtur në rininë e tyre. Që prej vitit 2012, kohë nga e cila ne monitorojmë situatën e të rinjve në vend, në nivel kombëtar dhe vendor, kemi evidentuar se të rinjtë ndeshin të njëjtat vështirësi, të cilat në disa qytete kryesore, janë kthyer në sfida për mbijetesë.
Jetesa e shtrenjtë, puna e pambrojtur dhe jo e mirëpaguar, mungesa e buxhetit për rininë në nivel qendor dhe vendor, e pjesëmarrjes efektive të të rinjve në të gjitha nivelet e vendimarrjes, e programeve të fuqizmit dhe shërbimeve rinore, e bën situatën sidomos për të rinjtë e pambrojtur edhe më të pashpresë. Tirana qendra më e madhe urbane për të rinjtë në Shqipëri nuk ka as edhe një qendër të vetme rinore, ndërkohë që në asnjë nga 61 bashkitë e vendit nuk ka shërbime të kujdesit, mbrojtjes dhe mbështetjes së të rinjve.
Ndonëse Ligji për Rininë, një nismë e CRCA dhe ANYN Shqipëri, ka sjellë disa zhvillime pozitive në drejtim të angazhimit rinor, të krijimit të zyrave të koordinatorëve për rininë, ne shohim jo me pak shqetësim se ata nuk janë mbështetur nga ana e bashkive me programe të financuara rinore, duke i lënë shpesh pa përkrahjen e duhur për të ndërtuar punë me rininë. E njëjta gjë ndodh edhe në nivel kombëtar, ku Ministria e Rinisë dhe Fëmijëve, vijon të mbetet një ministri pa portofol – që do të thotë pa staf dhe pa buxhet, e cila mbahet në këmbë me aktivitete vetëm nga ndihma e donatorëve, si për të treguar se 1/3 e popullësisë në Shqipëri nuk paraqet asnjë rëndësi për Qeverinë.
Ka një tendencë të theksuar nga ana e Qeverisë që të fokusohet tek punësimi i të rinjve, duke i shtyrë ata drejt mësimit dhe punësimit në teknologji të avancuara. Por, të rinjtë nuk kanë nevojë vetëm për aftësim për punë apo mësim kodimi. Shumë të rinj e të reja vijnë nga situata të theksuara të vulnerabilitetit, si atij arsimor – për shkak të cilësisë së ultë të arsimit publik parauniversitar, ashtu edhe ato familjare dhe komunitare. Të rinjtë kanë nevojë për art, sport, argëtim, zhvillim personal, por edhe mbrojtje sociale.
Në bindjen tonë programet e punësimit apo aftësimit, nëse nuk shoqërohen me programe kombëtare dhe të mirë-financuara të shërbimeve rinore në komunitet, të arsimimit të hershëm, apo të fuqizimit e rritjes së pjesmarrjes rinore, ato mund të dështojnë. Indiciet e deritanishme nga programi kombëtar i punësimit e tregojnë këtë gjë. Ndaj edhe në këtë Ditë Ndërkombëtare të Rinisë ne i rekomandojmë Qeverisë sa më poshtë:
- Ministria e Rinisë dhe Fëmijëve të transformohet në një Ministri me portofol dhe me buxhetin e saj, që të jetë përgjegjëse për të gjitha aspektetet që kanë të bëjnë me mbrojtjen, zhvillimin, kujdesin dhe fuqizimin e të rinjve në vend.
- Hapjen e Programit Kombëtar të Shërbimeve të Integruara Rinore, në bashkëpunim me organizatat rinore dhe bashkitë në të 61 njesitë administrative. Ky program duhet të jetë përgjegjës për krijimin e qendrave multi-funksionale të shërbimeve rinore, pa pagesë, fillimisht në 12 bashkitë më të mëdha të vendit dhe më pas në bashkitë e tjera. Një model i tillë është duke u mbështetur nga Agjensia Kombëtare e Rinisë dhe zbatuar nga CRCA Shqipëri në qarkun e Korçës.
- Krijimi i Komisionerit për të Drejtat e të Rinjve në Shqipëri – pranë zyrës së Avokatit të Popullit, që do të kujdesej për të gjitha aspektet e shkeljes të të drejtave të të rinjve. Kjo mund të bëhet në kuadër edhe të ndryshimeve e përmirësimeve që po i bëhen ligjit të rinisë.
- Qeveria shqiptare e ka për detyrë të krijojë kohezion ndërmjet programeve të ndryshme kombëtare për të rinjtë, si në ato të arsimit, mbrojtjes e kujdesit social, të punësimit etj. Ndaj në këtë kuadër është e nevojshme krijimi i një këshilli kombëtar rinor që sjell së bashku të gjitha ministritë përgjegjëse, organizatat dhe grupet rinore, si dhe të gjitha bashkitë e vendit, për të bashkërenduar planifikimin e programeve, nismave dhe zbatimin e tyre.
- Qeveria duhet të rrisë buxhetin dhe investimet e saj për organizatat rinore, në nivel qendror dhe vendor. Krijimi i Fondit për Rininë do të ishte një ndër zgjidhjet për krijimin e një fondi të dedikuar për organizatat që punojnë me dhe për të rinjtë, sidomos në nivel vendor.
Ne kemi bindjen se për të krijuar një vizion për rininë, këto masa janë më të paktat që mund të ndërmerren për të përmirësuar dhe ndryshuar situatën. Ne mbetemi të hapur për të mbështetur Qeverinë, Bashkitë dhe në tërësi autoritetet për të zbatuar detyrimet që ato kanë përkundrejt të rinjve e të rejave në Shqipëri.