Tiranë, 22 Tetor 2024 – Javën e kaluar, më 15 Tetor, u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, e cila shënoi çeljen e negociatave të anëtarësimit për kapitujt themelorë. Kjo ngjarje u mirëprit nga aktorët vendas, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur përmbushjen e zotimeve.

Në kuadër të negociatave, Shqipëria dhe BE-ja paraqitën pozicionet e tyre negociuese për grupkapitullin e parë, të cilët përcaktojnë kritere specifike dhe angazhime konkrete në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit dhe ekonomisë së tregut.

Megjithatë, ndryshe nga pozicioni negociues i BE-së i cili u publikua më datë 15 tetor, Qeveria shqiptare vazhdon ta konsiderojë “konfidencial” pozicionin negociues të Shqipërisë. Në këto kushte, organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri shprehin shqetësimin dhe keqardhjen për mungesën e transparencës dhe konsultimit të institucioneve qeveritare me aktorët vendas.

Shoqëria civile, rrethet akademike, media dhe komuniteti i biznesit duhet të luajnë të gjithë një rol kyç në formësimin dhe zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Publikimi i pozicionit negociues të Shqipërisë është parakusht thelbësor për të mundësuar përfshirje të aktorëve vendas, si edhe monitorim të pavaruar të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për zbatimin e detyrimeve dhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. 

Procedura e përshpejtuar dhe konfidenciale në të cilën u shqyrtua pozicioni negociues i Shqipërisë nga ana e Kuvendit ngre shqetësime të mëtejshme të cilat dëmtojnë besimin publik dhe kredibilitetin e procesit të negociatave me BE-në.

Ne, organizatat e shoqërisë civile, i bëjmë thirrje Qeverisë që ta shfrytëzojë këtë moment si një mundësi për reflektim dhe ndryshim. Është thelbësore që fazat e integrimit evropian të trajtohen si një përpjekje e përbashkët që përfshin të gjithë aktorët vendas në një dialog kuptimplotë dhe transparent.

Vetëm përmes një bashkëpunimi të hapur dhe gjithëpërfshirës me aktorët vendas, Shqipëria mund të arrijë ndryshimet transformuese të nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

ORGANIZATAT NËNSHKRUESE

  • Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim
  • Qendra ALERT
  • Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  • Instituti i Kërkimeve Urbane (URI)
  • Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Femijëve në Shqipëri (CRCA /ECPAT Shqipëri) 
  • Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë në Shqipëri (ALO 116)
  • Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN)
  • Qendra ALTRI – Albanian Legal and Territorial Research Institute
  • Shoqata “Together for Life”
  • Faktoje
  • Qendra per Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)
  • Save the Children in Albania
  • Shoqata për Kulturë Demokratike
  • Qendra Impakt Inkubator
  • Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
  • EU Policy Hub
  • Qendra per te Drejtat ne Pune – CRL
  • Në Dobi të Gruas Shqiptare


Detajet e Lajmit
October 22, 2024
165
Kategoria