Në emër të: Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, Rrjeti për të Drejtat e Fëmijëve, Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës për Fëmijët dhe ECPAT Shqipëri

Shqipëria ka bërë përpjekje serioze për avancimin e të drejtat të fëmijëve dhe të të rinjve. Megjithatë, përkundër këtyre përparimeve, korrupsioni i përhapur gjerësisht, lufta politike ndërmjet dy partive kryesore parlamentare, institucionet publike të dobëta dhe mungesa e financimit publik, ka penguar seriozisht përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve. Shqipëria ka një kuadër ligjor pozitiv për mbrojtjen e fëmijëve, por ata mbeten të pambrojtur. Shqipëria nuk ka kuadër ligjor për të mbrojtur të drejtat e të rinjve. Ka një sërë politikash publike të miratuara për fëmijët dhe të rinjtë, megjithatë institucionet publike dhe ato vendore nuk kanë as kapacitetet dhe as buxhetin për t’i zbatuar ato.
Më shumë se 20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri absolute. Kjo do të thotë se të paktën 100,000 fëmijë, për shkak të varfërisë nuk mund të ndjekin rregullisht arsimin e detyrueshëm publik. Nuk ka një program kombëtar për të mbështetur fëmijët që jetojnë në varfëri të tejskajshme. Fëmijët nga komuniteti Rom janë më të prekur nga varfëria, diskriminimi, paragjykimet, martesat e hershme dhe migracioni. 1 në 4 fëmijë Romë nuk është i regjistruar dhe nuk ndjek shkollën.
Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera në Evropë, shpenzon shumë më pak në arsimin bazë publik. Arsimi​​publik financohen thuajse tërësisht vetëm nga Qeveria. Bulizmi dhe dhuna në shkollë janë gjerësisht të përhapura. Shkollat ​​nuk kanë një mekanizëm efektiv dhe funksional ku mund të raportohet bulizmi dhe dhuna. Fëmijët shpesh ankohen se mësuesit përdorin dhunë verbale kundër tyre.
Studimi më i madh mbi dhunën ndaj fëmijëve në Shqipëri (BECAN) tregoi se 69% e fëmijëve ishin viktima të abuzimit psikologjik, 59% të dhunës fizike dhe 11% të abuzimit seksual. Mungesa e masave mbrojtëse dhe parandaluese e ka bërë përdorimin e internetit tepër të rrezikshëm për fëmijët! Çdo ditë e më tepër fëmijët dhe të rinjtë po ekspozohen ndaj ngacmimeve dhe bulizmit online, dhunës, urrejtjes apo shfrytëzimit për qëllime seksuale. Ekziston një mungesë e konsiderueshme e të dhënave mbi skllavërinë, trafikimin dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve për qëllime përfitimi. Raportet vlerësojnë se mbi 5000 fëmijë janë viktima të trafikimit dhe kontrabandës. Fëmijët i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual, skllavërisë për lypje dhe punës së detyruar brenda vendit, veçanërisht në bujqësi, industrinë e minierave dhe turizmin. Megjithëse dhuna ndaj fëmijëve dhe trafikimi i tyre janë vepra penale, institucionet e zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë shumë pak veprime ligjore për të raportuar shfrytëzuesit e fëmijëve apo për të siguruar që fëmijët dëmshpërblehen për dëmin që iu është shkaktuar.
Sistemi i mbrojtjes së fëmijëve është i fragmentuar dhe mungojnë stafet e mirë-trajnuara, financimi dhe mbështetja nga qeveria lokale dhe ajo qendrore. Shërbimet e përkujdesit shoqëror janë pothuajse inekzistente dhe ende nuk gëzojnë mbështetjen e Qeverisë si në drejtim të menaxhimit të rasteve ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve shoqërore në mbrojtje të tyre.
Popullsia e të rinjve në Shqipëri po ndjek një trajektore gjithnjë në rënie. Numri i përgjithshëm i vajzave, për shkak të aborteve selektive, vazhdon të ketë një diferencë të ndejshme krahasuar me numrin e përgjithshëm të djemve. Në vitin 2018 dallimi midis të dy grupeve të moshës 15-29 vjeç është 13,108 persona, në favor të djemve. Të rinjtë në Shqipëri për shkak të mungesës së legjislacionit dhe programeve rinore shpesh ndjehen të lënë pas dore nga Qeveria. Varfëria e të rinjve është mëse e zakonshme. Gati 14 për qind e popullsisë vazhdon të jetojë në varfëri absolute. Sipas të dhënave zyrtare (2017), pothuajse 26% e të rinjve janë të papunës, kryesisht djem. Pothuajse 50 përqind e të gjitha veprave penale janë kryer nga të rinjtë. Nuk ka programe dhe shërbime të specializuara për fëmijët dhe të rinjtë në konflikt me ligjin. Pjesëmarrja e të rinjve në politikë dhe proceset vendimmarrëse mbetet jashtëzakonisht shumë e ulët.
REKOMANDIMET TONA KRYESORE
Për të drejtat e fëmijëve

Shqipëria duhet të krijojë një program kombëtar për të mbështetur fëmijët që jetojnë në varfëri dhe të marrë masa serioze për të luftuar skllavërinë e fëmijëve, punën e detyruar dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve;
Fëmijët kanë të drejtën e arsimit në shkolla të sigurta. Bazuar në këtë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë duhet të adresojë urgjentisht çështjen e dhunës, bulizmit dhe diskriminimit në të gjitha institucionet arsimore duke zhvilluar një Plan Kombëtar Veprimi për Eliminimin e Dhunës në Shkolla;
Sistemi i mbrojtjes së fëmijëve dhe shërbimet e tjera shoqërore duhet të harmonizohen dhe të mbështesin mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga abuzimi seksual, varfëria ekstreme, skllavëria, dhuna, bulizmi apo shfrytëzimi në jetën e përditshme dhe në internet;
Rritja e pjesës së GDP-së për arsimin në mënyrë që të sigurohet edukimi publik falas, i barabartë, cilësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë.
Shteti shqiptar duhet të synojë të kujdeset në mënyrë të posaçme për fëmijët romë, fëmijët vajzat dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, për t’i regjistruar në arsimin bazë dhe duke iu dhënë mbështetje familjeve të tyre, si dhe nëpërmjet ofrimit të ushqimit falas për fëmijët që jetojnë në varfëri për të ndjekur arsimin e detyruar.
Çdo fëmijë duhet të ketë akses të plotë në sistemin shëndetësor dhe shërbimet sociale pa pagesë;
Ministria e Drejtësisë duhet të mbështesë Zyrat e Ndihmës Ligjore të ngritura prej vitesh nga organizatat e shoqërisë civile, për të garantuar shërbime ligjore falas dhe mbrojtje për fëmijët dhe të rinjtë në konflikt me ligjin;
Shqipëria duhet të zbatojë modele të reja të administrimit të drejtësisë për të miturit, të drejtësisë rikthyese dhe masave të shmangies, në frymën e Kodit të ri për Drejtësinë për të Mitur;

Për të drejtat e të rinjve

Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë masa dhe të rrisë llogaridhënien e Qeverisë lidhur me faktin se pse 3 vjet pas miratimit të tij, Plani Kombëtar i Veprimit për Rininë mbetet i pazbatuar.
Miratimi i Ligjit për Rininë është i një rëndësie të madhe për vendin dhe për të përmirësuar ndjeshëm situatën e të drejtave të të rinjve në Shqipëri.
Shqipëria duhet të rrisë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e të rinjve në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.
Parlamenti shqiptar duhet të inkurajojë Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe Bashkitë që të rrisin mundësitë për punësimin e të rinjve në mbarë vendin, përmes zhvillimit dhe zbatimit të programeve të ndryshme që nxisin punësimin e të rinjve.
Kuvendi duhet të nxisë dhe të inkurajojë bashkëpunimin midis Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, për të mbështetur bizneset e drejtuara nga të rinjtë.
Parlamenti duhet t’i japë prioritet krijimit të Nën-komisionit Parlamentar për Rininë.