Z. Veliu shkel rëndë 4 ligje të Shtetit Shqiptar. Paligjshmëria nga ana e policisë vijon edhe sot!

Tiranë, 29 Maj 2020 – Sot në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, ka përvijuar marrëzinë institucionale të rradhës duke kërkuar të mbrojë dhunën policore dhe trajtimin johuman të një fëmije 15 vjeçar nga ana e punonjësve të tij 10 ditë më parë.
Sikur të mos mjaftonte kjo ngjarje e rëndë e 16 Majit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mori përsipër të denigrojë publikisht, në shkelje të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, konventat ndërkombëtare dhe ligjet e vendit (Kodi Penal, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve), nënën që ka dalë publikisht në mbrojtje të fëmijës së saj.
Z. Veliu, në këtë komision duke kërkuar të justifikojë dhunën e policisë ndaj 15 vjeçarit ka publikuar një video të nënës së djalit gjatë xhirimeve të një filmi, duke gjykuar se kjo është mënyra me të cilën fëmija edukohet dhe duke dashur të quajë të drejtë edhe dhunën e ushtruar nga punonjësit e policisë.
Për më tepër, edhe pse thirrja e nënës së fëmijës ishte që Policia e Shtetit dhe institucionet shqiptare të vendosnin përpara ligjit çdo shkelës të tij, përgjigja e Drejtorit të Policisë së Shtetit, në emër të institucionit që ai përfaqëson, është e gjitha në kundërshtim me ligjet e Shqipërisë.  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përgjatë këtij komisioni ka vijuar të sulmojë on-line nënën e djalit duke sugjeruar se fëmija ka një prejardhje nga një familje e paedukuar dhe si i tillë duhej të ishte edhe reagimi i punonjësve të policisë së shtetit.
CRCA, shprehet thellësisht e indinjuar pasi, sjellja e paligjshme e z. Veliu, përpara Komisionit Parlamentar është një goditje institucionale për Policinë e Shtetit dhe një ftesë e hapur për çdo punonjës policie për të shkelur ligjin me çdo mënyrë dhe çdo mjet.
CRCA Shqipëri, i drejtohet me këtë kërkesë urgjente Kryeministrit të vendit z. Rama, për të shkarkuar menjëherë Drejtorin e Policisë dhe për të kërkuar një ndjesë publike jo vetëm ndaj fëmijës të cillit iu shpërndanë pamjet disa ditë më parë, se si goditej nga një punonjës policie, por edhe ndaj nënës së tij e cila etiketohet nga përfaqësuesit e shtetit si e padenjë si prind.
Këto deklarata, vijojnë të tregojnë realitetin se në Shqipëri, të drejtat e fëmijëve jo vetëm nuk mbrohen nga institucionet ligjzbatuese, por edhe arrijnë deri aty sa të përgojohet deri në marrëzi edhe edukimi dhe prejardhja familjare e një fëmije.
Paligjshmëria nga ana e policisë ka vazhduar dhe vijon të dëmtojë jetën mirëqënien dhe të drejtat e një fëmijë e15 vjeçar. Tashmë është bërë e zakonshme në Shqipëri, mosndëshkimi i të gjithë zyrtarëve publikë që shkelin ligjin me të dy këmbët dhe dhunojnë të drejtat e njeriut.   
Në 16 Maj, CRCA Shqipëri reagoi menjëherë sapo mori dijeni për dhunën që u ushtrua ndaj një djali 15 vjeçar në Tiranë.  Ngjarja ishte tepër e rëndë dhe paraqiti modelin e një force policore që nuk respektonte të drejtat e fëmijëve, dinjitetin e qenies njerëzore. CRCA, kërkoi pezullimin e menjëhershëm të punonjësve të policisë dhe nisjen e hetimeve të pavaruara për këtë ngjarje.
CRCA dënon ashpër çdo lloj forme të dhunës ndaj fëmijëve, dhë kërkon që policia e shtetit të tregojë statusin e saj në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe në respekt të qënieve njerëzore.  Për një vend që kërkon sa më parë të hapë negociatat me Bashkimin Europian, kjo ngjarje vetëm e largon Shqipërinë dhe shqiptarët nga ëndrra e tyre për të qënë pjesë e Europës.
 


Detajet e Lajmit
May 29, 2020
225
Kategoria