Korçë, 28 Shkurt 2025 – CRCA/ECPAT Shqipëri organizoi workshop-trajnimin shtatë ditor në qytetin e Korçës, në kuadër të projektit “Përgjigje dixhitale ndaj problemeve të papunësisë në Ballkanin Perëndimor” (DRUPWB), me bashkëfinancim nga Bashkimi Evropian, Programi Erasmus Plus. Pjesëmarrës në trainim ishin mësues të profesioneve të ndryshme të dy shkollave të mesme profesionale në qytet, të cilët japin mësim, ndër të tjera për të rinjtë NEET (që nuk janë as në marrëdhënie pune dhe as ndjekin arsimin apo formimin profesional), të rriturit që kërkojnë përmirësimin e aftësive të tyre profesionale dhe ata që synojnë të bëhen sipërmarrës.

Projekti DRUPWB synon të adresojë sfidat e arsimit dhe punësimit në Ballkanin Perëndimor duke zhvilluar një kurrikulë arsimore joformale gjithëpërfshirëse, e cila fokusohet në shërbimet intelektuale, që përfshijnë STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematika), aftësitë e të komunikuarit (soft skills) dhe aftësitë e ndryshme të të punuarit nga shtëpia (teleworking).

Trajnimi u nda në bazë të katër kurrikulave gjitheperfshirese ku u trajtuan temat si Asistenti Virtual, Vetëpunësimi, Fillimi dhe Drejtimi i një biznesi të vogël dhe Programimi pa Kodim. Secili prezantim kombinoi njohuritë teorike me praktikat, duke përgatitur pjesëmarrësit për të zhvilluar aftësi në fusha si menaxhimi i klientëve, krijimi i karrierave të pavarura, zhvillimi i aplikacioneve pa kod dhe hapja e bizneseve të vogla, me synim pajisjen e pjesëmarrësve me aftësi të nevojshme për të integruar dhe pasuruar mundësitë e tyre profesionale.

Kurrikula është projektuar për t’u përshtatur me mjedise të ndryshme mësimore, duke përfshirë shkollat, universitetet dhe platformat online, duke mundësuar kështu akses të gjerë për individë të ndryshëm. Në vijim, projekti synon të krijojë edhe një platformë dixhitale inovative që ofron hapsira mësimi online dhe kontakte me punëdhënësit, duke ofruar kështu mundësi punësimi dhe zhvillimi për përdoruesit e rinj dhe të rritur, si dhe ata të papunë ose NEET, duke kontribuar në uljen e papunësisë dhe përfshirjen sociale.

Pjesëmarrësit gjatë trajnimit nga ekipi i CRCA/ECPAT Shqipëri, zhvilluan aftësi të rëndësishme profesionale dhe personale e më gjerë , duke u bërë më të aftë për t’u përballur me kërkesat e tregut të punës. Pjesëmarrësit u njohën me mundësitë e zhvillimit të aftësive të reja dhe përshtatjen më lehtë në mjedise të ndryshme punë, si dhe në krijimin e mundësive të punësimit dhe sipërmarrjes.

CRCA/ECPAT Shqipëri në mbështetje të projektit DRUPWB vijon punen e saj për të mundësuar mundësi të reja zhvillimi për të rinjtë, dhe duke kontribuar në forcimin e shërbimeve rinore dhe mbështetjes profesionale për ata.


Detajet e Lajmit
February 28, 2025
106
Kategoria