
21 Qershor 2024 – CRCA/ECPAT Shqipëri vlerësoi sot me çertifikatë mirënjohjeje Ambasadorin Slloven në Shqipëri, z.Peter Japelj dhe bashkëshorten e tij Renata Marmulaku Japejl, me motivacionin: Për kontributin e jashtëzakonshëm në avancimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri”. Po në këtë kuadër CRCA e pajisi z. Japejl me Statujën e CRCA në shenjë falenderimi për mbështetjen e dhënë nga Ambasada Sllovene në Shqipëri.
Vlerësimi u bë në Ditën Kombëtare të Sllovenisë, si dhe me rastin e largimit nga Shqipëria të Ambasadorit Peter Japelj dhe familjes së tij.
Që prej ardhjes së tij në Shqipëri, Ambasadori Japelj u përfshi në shumë prej konsultimeve dhe takimeve publike të CRCA, duke sjellë eksperiencën e Sllovenisë për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve.
Po në këtë kuadër, falë dedikimit të tij, u bë e mundur që Shqipëria t’i bashkohet nismës sllovene “Të Drejtat Tona”, e cila konsiston në trainimin e mësuesve sipas një metode të thjeshtë, por tepër praktike për të drejtat e fëmijëve dhe më pas mësuesit e kanë për detyrë që të zhvillojnë të paktën tre orë ndërgjegjësuese me fëmijët për t’ju mësuar të drejtat që ata gëzojnë. Mbi 300 mësues dhe 6000 nxënës anembanë Shqipërisë kanë përfituar deri më tani nga trainimi.