
Tiranë, 1 Korrik 2019 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri) u pranua sot anëtare me të drejta të plota e Eurochild, organizatës më të madhe në Bashkimin Europian për të drejtat e fëmiijëve.
Eurochild është një rrjet organizatash që punojnë me fëmijët dhe për fëmijët duke avokuar për të drejtat dhe mirëqenien e tyre për të qenë në qendër të hartimit të politikave. Rrjeti, që shtrihet në 34 vende të Europës, ka mbi 160 antarë dhe puna kryesore e tij është e fokusuar në promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, mbështetjen familjare dhe prindërore si dhe kujdesin për fëmijërinë e hershme, Fëmijët nën Kujdesin Alternativ, luftën kundër varfërisë dhe pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve në vendimmarrje. Eurochild ndikon mbi politikat duke ndërtuar kapacitete të brëndshme dhe duke lehtësuar praktika të mësuarit reciprok e hulumtimit e këmbimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.
Anëtarësimi i CRCA/ECPAT Shqipëri në këtë organizatë sjell më afër organizatave joqeveritare dhe institucioneve të Bashkimit Europian çështjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
“Antarësimi i CRCA/ECPAT Shqipëri në Eurochild është një arritje për CRCA dhe Shqipërinë. Ajo flet jo vetëm për standartet e larta të punës sonë, por edhe për prezantimin dinjitoz që CRCA i bën Shqipërisë në Europë dhe në Botë. Ne do të vazhdojmë politikën tonë për t’u anëtarësuar në të gjitha rrjetet më të rëndësishme europiane dhe botërore për fëmijët dhe të rinjtë, për të rritur bashkëpunimin tonë dhe për të sjellë në Shqipëri dijet dhe eksperiencat më të mira.”- tha Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri.
CRCA/ECPAT Shqipëri tashmë me një histori 22 vjeçare të avokatisë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve, ka si qëllim kryesor përmirësimin e gjendjes së fëmijëve dhe të rinjve në vend, nëpërmjet ndikimit në politika dhe legjislacion, forcimit të kapaciteteve të të gjithë zyrtarëve publikë që punojnë për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe ngritjen e modeleve të shërbimeve cilësore për fëmijët dhe të rinjtë.