Më poshtë mund të lexoni, të plotë intervistën e gazetares Voltiza Duro;
1. Z. Hazizaj, çfarë tregon raporti më i fundit i Europol mbi trafikimin e fëmijëve në Shqipëri?
Data 18 Tetor është Dita Europiane kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore dhe në këtë kuadër CRCA / ECPAT Shqipëri, si e vetmja organizatë kombëtare nga Shqipëria anëtare e Platformës së Bashkimit Europian kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ishte ftuar në prezantimin e raporteve të vendeve të BE-së për trafikimin e fëmijëve, ku ndër të tjera u bë publik edhe Raporti i Europol “Rrjetet Kriminale që trafikojnë për qëllime shfrytëzimi fëmijët nën moshë në Bashkimin Europian”. Raporti i Europol, që është organizata e të gjitha policive në Bashkimin Europian, prek problemet që vetë BE-ja ka në lidhje me trafikimin e fëmijëve, por çfarë të bën përshtypje në raport janë dy momente kryesore: 1)Shqipëria është thuajse vendi i vetëm Europian që ka trafikim të fëmijëve drejt Bashkimit Europian dhe 2)Për herë të parë në këtë raport u prezantua një kapitull i veçantë për krimin e organizuar shqip-folës dhe ndikimin e tij në trafikimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe të fëmijëve të tjerë. Përmendja e krimit të organizuar shqip-folës në Raport, tregon se trafikimi i fëmijëve nga Shqipëria është një krim që vazhdon të mbetet i pandëshkuar nga institucionet në vend, ndërkohë që mungesa e luftës kundër tij lehtëson ka forcuar pozitat e krimit shqip-folës kudo në Europë, duke e kthyer atë në një problem Pan-Europian, së bashku me drogën dhe trafikimin e grave për prostitucion.
2. Sa është numri i fëmijëve të trafikuar dhe për çfarë shfrytëzohen?
Qeveria Shqiptare nuk ka botuar asnjëherë asnjë raport për gjëndjen apo numrin e fëmijëve të trafikuar dhe kjo përbën një shqetësim serioz për shumë nga ne. Të vetmet të dhëna që bëhen publike janë ato të Ministrisë së Brendshme, të cilat janë tepër të pjesshme dhe të papeshuara me të dhënat e vendeve Europiane apo edhe më gjerë që flasin për trafikimin e fëmijëve nga Shqipëria. Ne si CRCA/ECPAT Shqipëri kemi bërë një përllogaritje nisur nga burimet e vendeve europiane dhe na rezulton se janë mbi 5000 fëmijë shqiptarë të trafikuar, të kontrabanduar dhe të pashoqëruar. Nga ana tjetër ne mendojmë se kjo shifër nuk tregon të vërtetën e plotë, pasi vetëm po të shohim të dhënat e Home Office dhe raportet e tyre mbi trafikimin, vetëm në dy vitet e fundi ata kanë deklaruar se janë mbi 1500 fëmijë nga Shqipëria të trafikuar dhe të kontrabanduar. Të dhënat janë tepër shqetësuese dhe psh edhe Raporti më i fundit i Vatrës në Vlorë tregoi se kanë patur një rritje me mbi 30% vetëm gjatë vitit të fundit të fëmijëve viktima të trajtuar në qendrën e tyre.
3. Cila është grupmosha më e prekur nga trafikimi?
Raporti i Europol flet edhe për moshën e fëmijëve. Ata tregojnë se mosha e fëmijëve që po trafikohen po vjen duke u ulur dhe shpesh fëmijët trafikohen nga familjet e tyre ose familjet janë në dijeni të plotë të faktit që fëmija i tyre do të trafikohet, por të gënjyer nga shkelësit e ligjit ata vazhdojnë të besojnë se fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të mirë në “perëndim” sesa po të qëndrojnë në Shqipëri. Është një fenomen sa absurd aq edhe për të ardhur keq, por që tregon rrezikun që prindërit janë gati të ndërmarrin për fëmijët e tyre, thjesht e vetëm që t’ju japin një shpresë më të mirë sesa qëndrimi në Shqipëri.
4. A kanë rënë pre e abuzimeve seksuale?
Fakti që raporti është përgatitur nga Europol, ndër të tjera ka si qëllim që të ndërgjegjësojë qeveritë dhe vendim-marrësit të vendeve të BE-së se të gjithë këta fëmijë të trafikuar janë në një pjesë të madhe viktima të shfrytëzimit ekonomik dhe seksual. Këta fëmijë që kontrollohen nga rrjetet kriminale janë gjithnjë të rrezikuar që t’i shiten rrjeteve të pedofilëve, të përdoren për pornografi të fëmijëve apo prostitucion. Të dhënat ndër vite, por edhe në raportin e fundit, çojnë shqetësimin se fëmijët e vegjël po kontrollohen përgjithësisht nga gratë shkelëse të ligjit dhe përdoren për punë të detyrueshme dhe shpërndarje droge, ndërsa kur ata rriten ose i përdorin për prostitucion ose për kontrollin e drogës dhe shpërndarjen e saj kudo në Europë. Nuk është e rastësishme pse krimi shqip-folës është përfshirë në këtë raport në një kapitull të veçantë!
5. Sa të rrezikuar janë fëmijët e vendit tonë?
Për aq kohë sa Policia vijon të jetë e pafuqishme dhe shpesh e akuzuar se është bërë palë me krimin e organizuar, të gjithë fëmijët në Shqipëri janë të rrezikuar. Megjithatë fëmijët më të varfër, pa ushqim dhe kujdes, të braktisur apo që jetojnë me ndihmën ekonomike, janë gjithnjë shumë herë më të ekspozuar sesa le të themi fëmija i Kryeministrit shqiptar, i një deputeti apo i një kryetari bashkie. Kjo tregon edhe nivelin e madh të pabarazive shoqërore dhe sesa pak ne si shtet kujdesemi për fëmijët në tërësi. Nëse taksat tona nuk shpenzohen për fëmijët, por shkojnë për të mbështetur dhe fuqizuar biznesin e lidhur me politikanët, atëhere qytetarët do të vazhdojnë të besojnë se trafikimi i fëmijëve të tyre është një e ardhme më e mirë sesa qënia të varfër, të pangrënë dhe të harruar në vendin e tyre!
6. Cilat janë masat kryesore për të minimizuar këtë fenomen?
Vendi ynë, për shkak se Qeveria investon shumë pak në drejtim të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijës dhe arsimit të tyre, është ende tepër larg minimizimit të fenomenit. Masa më e shpeshtë do të ishte krijimi i një drejtorie të veçantë në policinë e shtetit për të gjitha krimet që kanë të bëjnë me fëmijët dhe të miturit! Kjo duhet shoqëruar, duke filluar që në ditët në vijim, me përfshirjen në buxhetin e shtetit të një programi kombëtar për financimin e shërbimeve bazë të mbrojtjes së fëmijës dhe eleminimit të shfrytëzimit dhe trafikimit. E treta, qeveria duhet të rrisë urgjentisht buxhetin e Arsimit në mënyrë që të gjithë fëmijët e rrezikuar të marrin të paktën një vakt falas ushqim në kopsht apo shkollë, pasi gjendja siç e thashë është kaq dëshpëruese, sa edhe disa masa sociale të thjeshta mund të ndihmojnë shumë. Përkundër këtyre, Qeveria duhet të luftojë krimin sepse varfëria dhe mungesa e shpresës janë ato që i shpien fëmijët drejt trafikimit dhe të rinjtë drejt prostitucionit.
7. Cilat janë kërkesat e CRCA ndaj shtetit shqiptar?
CRCA dhe ECPAT Shqipëri përpos kërkesave të mësipërme që kemi vite që ia rikujtojmë Qeverisë, kemi edhe disa rekomandime për Kuvendin, Ministrinë e Brendshme dhe Bashkitë. Kuvendi duhet të thërrasë në një seancë dëgjimore urgjente dhe të kërkojë llogari nga çdo zyrtar që paguhet nga taksat tona, se pse trafikimi i fëmijëve vijon të ekzistojë dhe pse zyrarët e lartë e kanë kaq të lehtë të blenë makina qindra mijëra dollarëshe por nuk blejnë asnjë shërbim të domosdoshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga trafikimi dhe shfrytëzimi?! E dyta, Ministria e Brendshme dhe Koordinatori kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore ka nevojë të riorganizojë të gjithë sistemin e mbrojtjes dhe parandalimit të trafikimit të fëmijëve, pasi ky ekzistues ka treguar që ka dështuar. E treta, Bashkitë dhe sidomos Kryetarët e Bashkive duhet të kuptojnë që ata janë po aq fajtorë sa edhe vetë trafikantët sepse vazhdojnë të shpenzojnë fonde pa fund për fëmijët e të pasurve dhe ndërkohë nuk kanë dhënë dhe as vitin e ardhshëm nuk planifikojnë t’i japin zgjidhje problemit të varfërisë, shfrytëzimit dhe trafikimit të fëmijëve në territorin e tyre! Janë ata mbi të gjitha përgjegjës për të gjitha këto shërbime të munguara për qytetarët!