23-24 Nëntor 2015 – HRH/CRCA Shqipëri merr pjesë në Dialogun Global të Shoqërisë Civile me temë “Nxitja e veprimeve për llogaridhënie dhe ndikim”, organizuar nga UN Women në kuadër të axhendës ‘Planeti 50-50 deri në 2030-ën’.
Ky takim organizohet në një moment të rëndësishëm të historisë kur një axhendë transformuese për përparim dhe prosperitet njerëzor për periudhën pas-2015, e cila njeh rëndësinë e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave, është miratuar kohët e fundit nga udhëheqësit botërorë. Në Asamblenë e Përgjithshme të organizuar në shtator të këtij viti, udhëheqësit botërorë të niveleve më të larta nga më shumë se 70 vende në të gjithë botën, kanë ndërmarrë angazhime konkrete për të arritur barazinë gjinore sipas këndvështrimit të tyre deri në vitin 2030.
Miratimi i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm i kombinuar me shqyrtimin e progresit në zbatim, njëzet vjet pas Konferencën së katërt Botërore për Gratë në Pekin, i jep këtij momenti një rëndësi të veçantë për lëvizjen ndërkombëtare të gruas e cila mund të artikulojë një vizion të zgjeruar të llogaridhënies për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore dhe të nxit veprime e investime për barazi gjinore, të drejtat e grave dhe fuqizimin e grave e vajzave si bazë për një zhvillim të qëndrueshëm.
Dialogu Global i Shoqërisë Civile ka bërë bashkë një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Grupeve Këshilluese të UN Women nga Shoqëria Civile nga e gjithë bota, së bashku me aktorë të tjerë të shoqërisë civile dhe aktorëve të drejtësisë sociale e barazisë gjinore, për të diskutuar strategjitë për forcimin e partneritetit mes UN Women dhe aktorëve të shoqërisë civile për të patur rezultate konkrete për barazi gjinore deri në vitin 2030.
Grupet Këshilluese të UN Women nga Shoqëria Civile në nivel botëror, rajonal dhe kombëtar janë mekanizma institucionalë përmes të cilave UN Women forcon partneritetet ekzistuese dhe ndërton bashkëpunimin strategjik me shoqërinë civile dhe partnerë të barazisë gjinore në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.
HRH/CRCA Shqipëri si e vetmja organizatë nga Shqipëria në këtë event po jep kontributin e saj maksimal për të dhënë rekomandime dhe propozuar veprime që do të nxisin arritjen e barazisë gjinore deri në vitin 2030 edhe në rajonin tonë. 


Detajet e Lajmit
November 25, 2015
222
Kategoria