
Tiranë, 04 Tetor 2013- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA, një organizatë kombëtare që avokon në emër të fëmijëve, mori pjesë ditën e premte në Panairin Ndërkombëtar të Organizatave i cili u zhvillua pranë Hotel Tirana International. Në aktivitet marrën pjesë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Z. Erion Veliaj, Shef i Sektorit Politik, Ekonomik dhe të Informacionit, Clive Rumbold, ekspertë nga vende të ndryshme të Europës, 30 organizata europiane, 70 lidera rinor, aktivistë nga organizata të vendeve të Bashkimit Europian, Europës Jug Lindore dhe Rajonit të Kaukazit, si dhe 35 organizatashqiptare që punojnë në fushën e shoqërisë civile.
Panairi Ndërkombëtar i Organizatave solli së bashku përfaqësues të organizatave rinore europiane dhe shqiptare për të shkëmbyer eksperiencat dhe vendosje të urave të bashkëpunimit për të ardhmen. Ky panair u realizua nga organizata ‘Përtej Barrierave’ në bashkëpunim me shoqatën “Ndihmë Sociale Gruas Kryefamiljare” në kuadër të programit ‘Youth in Action’ të financuar nga Komisioni Europian.
CRCA Shqipëri, në këtë panair u prezantua me punën dhe arritjet e saj nga programet e ndryshme të fëmijeve, të rinjve dhe nxitjes së grave në politikë. Në këtë panair, mes gjithë të tjerave, CRCA i dedikoi një hapësirë të madhe shërbimit të vetëm në ndihmë të fëmijëve në vend, ALO 116-Linjës Kombëtarë të Këshillimit tëFëmijëve në Shqipëri. Publikimet, materialet informuese, broshurat, dhe posterat e ALO 116, Koalicionit për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave në Politike, Koalicionit të Arsimit të Fëmijëve në Shqipëri, Lidershipit të të Rinjve të Tiranës dhe drejtësisë për të mitur ishin gjithashtu të ekspozuara për të gjithë pjesëmarrësit.
Ky aktivitet kishte si qëllim të sillte së bashku përfaqësues të organizatave Europiane dhe Shqiptare për të krijuar ura të reja bashkëpunimi, për të shkëmbyer eksperiencat më të mira dhe për të vendosur kontakte për projekte të reja në të ardhmen.