
Tiranë, 28 Prill 2020 – CRCA/ECPAT Shqipëri, është duke ndjekur me shqetësim dhe vëmendje ngjarjen më të fundit të dhunës dhe shfrytëzimit seksual ndaj një vajze 17 vjeçare në Sarandë.
Sipas raportimeve të mediave, vajza ka ngritur akuzën se që në fëmijëri është shfrytëzuar seksualisht nga familja e saj për të ofruar marrëdhënie seksuale me persona të tjerë të cilët janë nën hetim nga ana e prokurorisë.
Përgjatë gjithë zhvillimit të ngjarjes e cila është fokusuar edhe nga kamerat e emisioneve mediatike, shqetësuese është mënyra e sjelljes jo profesionale të punonjësve të policisë, të cilët nuk pranonin denoncimin e një qytetari për një rast të dyshuar përdhunimi ndaj një të miture.
CRCA e cila po e ndjek çështjen që prej ditës së parë të denoncimit, shprehet e shqetësuar për situatën psikologjike dhe emocionale të vajzës, e cila është viktima e të gjithë kësaj ngjarjeje.
Ne kërkojmë nga policia e shtetit që të kryejnë në mënyrë profesionale detyrat që ligji ju ka ngarkuar. Sipas Kodit të Procedurës Penale, policia është e detyruar të pranojë denoncimin e çdo qytetari për vepra penale që kanë ndodhur apo mund të ndodhin dhe për më tepër sërish në bazë të ligjit çdo qytetar është i detyruar të raportojë pranë organeve ligjzbatuese çdo vepër penale që ka ndodhur ose mund të ndodhë.
Në fokusin e kësaj ngjarjeje ishte një qytetar që në frymën e ligjit në mënyrë të vazhdueshme kërkonte të denonconte atë ç’ka ai beson që është një vepër penale që ka ndodhur ndaj vajzës 17 vjecare. Nga ana tjetër fatkeqësisht pamë një institucion ligj-zbatues dhe funksionarë të saj që jo vetëm refuzuan marrjen e deklarimit, por për më tepër sillen edhe në mënyrë hakmarrëse ndaj individit.
Qëllimi i ligjit penal është që të nxisë të gjithë personat dhe sjelljen e tyre me synim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
CRCA/ECPAT Shqipëri bazuar në raportimet e medias për ngjarjen e Sarandës kërkon një hetim sa më të shpejtë nga ana e Policisë së Shtetit për të gjitha dështimet apo mangësitë e punës që janë vënë re në komisiariatin e policisë Sarandë.
CRCA/ECPAT ka një eksperiencë prej 22 vitesh të bashkëpunimit me policinë e shtetit dhe strukturat e saj, dhe gjatë kësaj kohe ne kemi vënë re një reformim të thellë të punës së saj në drejtim të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Ngjarja e Sarandës, na tregoi se pavarësisht të gjithë këtyre përmirësimeve, Policia e Shtetit dhe zyrtarët e saj kanë ende shumë nevojë për tu përgatitur dhe formësuar në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga dhuna seksuale. Në këtë kuadër CRCA i rekomandon drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit përgatitjen dhe miratimin e një protokolli të posaçëm pune për ndjekjen e rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë ekspertizën tonë për ta bërë të mundur plotësimin e këtij rekomandimi.
Shqipëria, numëron 1 në 10 fëmijë të abuzuar seksualisht, ndërsa në 83% të këtyre rasteve viktimat janë vajza nën moshën 18 vjeç.