Tiranë, 8 Gusht 2024 – Në një letër të hapur drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, z. Olsion Rama, CRCA/ECPAT Shqipëri kërkuan që prokuroria të garantojë ndjekjen penale të çdo çështjeje që ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të fëmijës, në mënyrë të veçantë të krimeve që ndodhin në hapësirën kibernetike ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. Shkak për këtë reagim u bënë disa ankesa nga fëmijët, të paraqitura pranë Zyrës së Mbrojtjes Ligjore Falas të CRCA Shqipëri, ku në çdo rast, prokuroria kishte refuzuar të vijonte ndjekjen penale të shkelësve të ligjit për shkak se ligji nuk detyronte prokurorët që çështja të ndiqej kryesisht.

Shqipëria është nënshkruese e një sërë konventave të OKB-së përfshi edhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës (KDF). Si Kushtetuta e Shqipërisë ashtu edhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës garantojnë mbrojtjen e posaçme dhe interesin më të lartë të fëmijës në të gjitha procedurat që kanë lidhje me ta. Por, në të vërtetë, këto dy parime ligjore, nuk kanë gjetur zbatim nga ana e disa prokuroëve në Shqipëri, duke i lënë fëmijët pa mbrojtje dhe pa iu dhënë akses në drejtësi.

Në rastin më të fundit, që kishte lidhje me Prokurorinë e Tiranës, një fëmije iu refuzua ndjekja penale nga ana e prokurorisë, për shkak se vepra penale ishte klasifikuar e tillë që mund të ndiqej me avokat. Kjo jo vetëm që ia të drejtën fëmijës për të patur akses në drejtësi, por edhe për të përfituar nga aksesi në prova që prokuroria e ka më të lehtë për t’i mbledhur për shkak të aksesit dhe mandatit të saj në dokumentat zyrtare apo në teknologji të avancuara.

Legjislacioni penal në Shqipëri është tepër i prapambetur dhe i papërshtatur për t’ju përgjigjur nevojave të fëmijëve për mbrojtje më të mirë në hapësirën kibernetike. Ministria e Drejtësisë ka vite që punon për të përgatitur një Kod të Ri penal, por deri më sot ende asnjë version i plotë nuk është paraqitur për diskutim. Nisur nga kjo, në fillim të këtij viti CRCA Shqipëri dorëzoi në Kuvend së bashku me Deputeten Erisa Xhixhe pesë amendamente urgjente në Kodin Penal, përfshi edhe shtimin e dy veprave të reja penale si grooming dhe sexting. Deri më tani Kuvendi nuk ka përcaktuar një datë se kur mund t’i votojë këto shtesa në Kodin Penal.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
August 13, 2024
771
Kategoria