Tiranë, 23 Shtator 2024 – Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, z. Altin Hazizaj, u mikëprit në një takim gjatë mëngjësit të sotëm, nga zv. Kryeministrja e Shqipërisë, znj. Belinda Balluku. Takimi u organizua në vijim të përpjekjes që CRCA Shqipëri po bën për të stimuluar diskutimet dhe angazhimin e institucioneve publike, politikë-bërësve, shoqërisë civile dhe industrisë së internetit, për krijimin e një arkitekture të re për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve në hapësirën kibernetike.
“Në emër të CRCA Shqipëri dua të shpreh mirënjohjën tonë për mbështetjen e pakufizuar që ju si zv. Kryeministre keni dhënë për çështjen e të drejtave të fëmijëve, sidomos ndaj fenomentit të dhunës me bazë gjinore. Në këtë kuadër, ne mendojmë se Kryeministria është institucioni i duhur që duhët të ndërmarrë hapat, në bashkëpunim dhe bashkëveprim me të gjithë partnerët social, për krijimin e një arkitekture të re të mbrojtjes e kujdesit të fëmijëve në hapësirën dixhitale. Të dhënat e iSIGURT.al tregojnë se interneti është kthyer në mjetin kryesor të dëmtimit, dhunës dhe shfrytëzimit të fëmijëve në hapësirën dixhitale në Shqipëri.” – tha në hapje të takimit z. Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.
Zv. Kryeministrja e Shqipërisë znj. Balluku shprehu mirënjohjen e saj për punën dhe kontributin e CRCA Shqipëri, duke evidentuar faktin se dhuna dhe bullzimi ndaj fëmijëve në hapësirën kibernetike, janë kthyer në një shqetësim serioz që kërkon vëmendjen dhe kontributin e të gjithëve. Ajo përshëndeti nënshkrimin e Paktit Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Fëmijëve të nënshkruar nga katër ministritë kryesore të Qeverisë shqiptare, CRCA Shqipëri dhe ALO 116-111.
CRCA/ECPAT Shqipëri i paraqiti zv. Kryeministres Balluku nje platformë të gjerë të masave dhe veprimeve të përbashkëta që mund të ndërmerren në planin afatshkurtër dhe atë afatgjatë. Palët ranë dakord që të punojnë së bashku për zbatimin e platformës.
Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën dixhitale, por vendi paraqet mangësi në drejtim të përmirësimit të politikave dhe legjislacionit. CRCA është duke punuar me autoritetet që legjislacioni dhe politikat të përmirësohen, për t’i hapur rrugë masave të reja për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve online.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri