Tiranë, 29 Mars 2019 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA), prej ditës së sotme do të njihet edhe si ECPAT Shqipëri. Këtë emër të përbashkët CRCA e merr tashmë si një prej organizatave me të drejta të plota pjesë përbërëse e rrjetit global ECPAT International, i shtrirë në 96 vende të botës, ku në Shqipëri përfaqësohet nga CRCA.
ECPAT International, është një rrjet global i përbërë nga 109 organizata që punojnë për t’i dhënë fund abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në mbarë botën. Fëmijët në të gjithë botën janë ende në rrezik trafikimi dhe prostitucioni si edhe rreziqet e përhapura tashmë nga rrjete online si grooming dhe përhapja e imazheve e abuzimit seksual në internet. Vitet e fundit sektori i udhëtimit dhe turizmit kanë rrezikuar dhe vijojnë të rrezikojnë me miliona fëmijë, ku trafikantët dhe grabitqarët seksualë kërkojnë viktima të reja.  ECPAT punon për ti dhënë fund këtij shfrytëzimi dhe avokon pranë qeverive të vendeve të ndryshme të Botës për të ndryshuar rrënjësisht si edhe me komunitetin ndërkombëtar.
CRCA dhe ECPAT International filluan bashkëpunimin e tyre që në vitin 2001, ndërsa në vitin 2015 u pranua si organizatë me të drejta të plota dhe bashkë me të lindi dhe e drejta e përdorimit të emrit dhe logos zyrtare të ECPAT në Shqipëri.
CRCA/ECPAT Shqipëri do të vijojë punën e saj për të siguruar zbatimin e parimeve të bashkëpunimit ndërsektorial dhe forcimin e aftësisë së sistemit për të parandaluar, reaguar dhe mbrojtur fëmijët, të rinjtë dhe gratë nga të gjitha format e dhunës. CRCA/ECPAT Shqipëri do të avokojë për të përmirësuar punën e qeverisë qëndrore dhe atyre lokale në mbrojtjen nga dhuna seksuale të fëmijëve, të rinjve dhe grave.
Gjithashtu CRCA/ECPAT Shqipëri do të vijojë të punojë për të krijuar një ambient të sigurtë të përdorimit të internetit si për fëmijët ashtu edhe për adoleshentët në vendin tonë. Prej vitesh CRCA Shqipëri i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit të Ligjeve, që në ndryshimet e pritshme të Kodit Penal të miratonte edhe propozimet tona për të mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe shfrytëzimit në internet. Ndryshime këto të pamiratuara akoma, por që janë një nevojë urgjente për të mos lejuar abuzuesit, shfrytëzuesit dhe këdo tjetër, të abuzojë me fëmijët duke përdorur rrjetet sociale online.


Detajet e Lajmit
March 29, 2019
348
Kategoria