Tiranë, 17 Korrik 2020 – CRCA Shqipëri, i ka kërkuar sot Kuvendit të Shqipërisë ndryshime të rëndësishme të Kodit Zgjedhor. Nëpërmjet një shkrese drejtuar Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Drejtori i CRCA ka argumentuar ne detaje të gjitha ndryshimet e kërkuara mbi përmirësimin e disa dispozitave të Projekt-ligjit “Për Disa Ndryshime Dhe Shtesa Në Ligjin nr. 10019, “Kodi Zgjedhor i Republikës Së Shqipërisë”.
CRCA duke mbështetur reformimin e sistemit përfaqësues në vendin tonë, bazuar dhe në rekomandimet europiane mbi rritjen e përfaqësimit, ka kërkuar baraza gjinore në përfaqësimin politik si atë vendor ashtu edhe qëndror.
CRCA Shqipëri dëshiron barazi gjinore që në konkurrim, duke vendosur kriter ligjor renditjen alternative të të dyja gjinive në të gjithë listën. Aktualiteti tregon se shoqëria shqiptare është e përgatitur dhe e priti një Kuvend me minimum 30% gra. Vendosja standartit të ri me kuotën 50 % për partitë e mëdha duket se është plotësisht e realizueshme, nëse do të ishte vullneti politik.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që kërkohet nga CRCA është edhe rritja e përfaqësimit të të rinjve si në në vendimmarrje ashtu edhe në politikë. Respektimi i parimit të barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi, është një ndryshim i domosdoshëm të cilin CRCA dhe Ambasada PINK e kanë propozuar prej kohësh me qëllim njohjen dhe garantimin ligjor të së drejtës për të zgjedhur dhe për tú zgjedhur për personat LGBTI në Shqipëri. Ky propozim kërkon të sjellë ndryshime të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë me qëllim përmirësimin e tij në kuadër të respektimit të parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit në lidhje me orientimin seksual dhe identitetin gjinor ose çdo shkak tjetër dhe të Ligjit Për Mbrojtjen Nga Diskriminimi.
Në propozimet e saj, CRCA ka vendosur sërish theksin në kërkesën për uljen e moshës së votuesve në 16 vjeç. Aktualisht shtetasit shqiptarë kën të drejtë të votojnë pasi mbushin moshën 18 vjeç, ndërsa propozimi i CRCA në uljen e moshës, synon fuqizimin e demokracisë. Shqipëria ka qënë ndër vendet e para në Europë për njohjen e të drejtës së votës për gratë prej vitit 1920. Një politikë avangarde kjo që duhet ndjekur edhe për adoeleshëntët. Në vendin tonë, ligji dënon penalisht çdo person mbi moshën 14 vjeç, apo edhe takson në mënyra të ndryshme adoleshentët, ndërsa nuk i lejon ata të zgjedhin dhe të gëzojnë të drejtën e votimit në moshën 16 vjeç. Kjo kërkesë e CRCA Shqipëri është përqafuar nga të gjitha krahët politike europiane.
Propozimet që vijnë në një kohë të trazuar politke në Shqipëri, kërkojnë të forcojnë garancitë ligjore për respektimin e parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit për të gjithë shtetasit në ushtrimin e të dejtave dhe lirive themelore të njeriut, sidomos në ushtrimin e lirive dhe të drejtave politike.