25 VJET CRCA SHQIPËRI!
Motivimi i CRCA-se bazohet në thenien: “Duke punuar të gjithë së bashku, ne mund të ndërtojmë një Botë më të mirë për femijët dhe të rinjte.”
Në Mars 1997 Shqipëria ishte përfshirë nga trazirat anembanë vendit dhe njërëzit kishin rrëmbyer armët dhe protestonin kundër korrupsionit të një qeverie autoritare dhe ngërçit në funksionimin e shtetit. Shtatë vite pasi populli kishte rrezuar regjimin komunist, vendi vazhdonte të ishte shumë larg të qenit një vendi demokratik, ku të drejtat e njeriut respektohen.
Fëmijët ishin ndër më të prekurit nga dhuna dhe ngjarjet e tjera që ishin duke ndodhur. Raportimet në media bënin me dije se më shumë se 150 fëmijë ishin vrarë aksidentalisht nga plumbat dhe armatime të tjera. Nën presionin e kësaj situate një grup i dedikuar avokatësh, doktorësh dhe gazetarësh, me një eksperiencë të gjërë në fushën e të drejtave të njeriut, vendosën së bashku të krijojnë Qëndrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA). Vetëm tre vjet më parë ne festuam 20-vjetorin tonë, si një ndër organizatat lider në fushën e të drejtave të njeriut në vend dhe në Ballkanin Perëndimor.
20 vite janë një kohë e shkurtër, por edhe e gjatë në historinë e OJF-ve në Ballkan, ku asnjëherë nuk ka pasur një shoqëri civile të mirë-stabilizuar. Një kontradiktë e tillë mund të shpjegojë punën e pothuajse çdo organizate që punon për fëmijët, të rinjtë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe Ballkan. Mungesa e vlerave demokratike, një sistemi të fortë arsimi, të elitës politike dhe një realitet i vështirë gjeo-politik, e bëjnë Shqipërinë një vend “perfekt” për eksperimente politike, të cilat edhe sot vazhdojnë të ndikojnë në të drejtat dhe mirëqënien e qytetarëve.
Shumë gjëra kanë ndodhur në jetën e organizatës sonë gjatë këtyre viteve. Një nga arritjet më të mëdha të punës sonë, por dhe shumë OJF-ve të tjera, kolegëve dhe miqve, institucioneve publike dhe donatorëve, ka qenë avancimi i konsiderueshëm i të drejtave të fëmijëve e të rinjve, pavarësisht se vendi ende përballet me të njëjtat sfida me të cilat është përballur që në vitin 1997. Partitë politike përpiqen të mbajnë nën kontroll çdo aspekt të jetës publike pothuajse në të njëjtin nivel që e bënte edhe partia komuniste që ra nga pushteti në fillim të viteve ‘90. Falë punës intensive, ekspertizës dhe shkëmbimeve, ne kemi mësuar të përballemi me këto sfida, duke punuar me anëtarët përparimtarë të Parlamentit, Qeverisë dhe shoqërisë, duke avokuar çdo ditë për dhe në emër të fëmijëve. Ka qenë e vështirë, por shumë e dobishme.
Ne jemi krenarë që së bashku me Parlamentin kemi krijuar Grupin Parlamentar për të Drejtat e Fëmijëve (të njohur si Grupi Parlamentar Miqtë e Fëmijëve), ndërsa në nivel Qeveritar një Agjensi Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve punon që t’i ofrojë fëmijëve dhe adoleshentëve shërbime pa pagesë ose të përballueshme. Qysh prej viti 1999 ne i kemi kërkuar publikisht Qeverisë krijimin e një agjencie në të gjithë vendin që të kishte fuqinë për të mbrojtur fëmijët. Tani kjo është një realitet!
Ndërsa për një kohë të gjatë ne kemi avokuar me Qeverinë për të ngritur, financuar dhe mbështetur shërbime sociale publike. Megjithëse jemi akoma shumë larg nga kjo, legjislacioni i aprovuar së fundmi na jep shpresa që krijimi i një Fondi Social – një kërkesë dhe rekomandim i CRCA- do të përdoret përfundimisht si financues i shërbimeve sociale falas për fëmijët dhe të rinjtë në nevojë në të gjithë Shqipërinë.
Në 1998 ne hapëm për herë të parë në historinë e shërbimeve për fëmijët – Linjën Kombëtare të Telefonit të Ndihmës së Fëmijëve në Shqipëri (ALO 116-111). ALO 116-111 sot është mekanzmi më i rëndësishëm për raportimin e dhunës ndaj femijëve. Pothuajse 12 vjet më pas më shumë se gjysmë milionë fëmijë janë mirëpritur të ndajnë historitë e tyre dhe të kërkojnë këshillim. Më shumë se 13.000 fëmijë dhe të rinj kanë kërkuar mbrojtje dhe asistencë në shërbimet publike. Sot ALO 116-11 është një organizatë e pavarur dhe punojmë sëbashku për të bërë të mundur që asnjë fëmijë mos të jetë vetëm kur ka nevojë dhe kur të kërkojë ndihmë. Në vitin 2015, pas shumë përpjekjesh dhe falë Marrëveshjes katër-Ministrore të Qeverisë së Shqipërisë, ne hapëm www.ISIGURT.AL – Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri. Që prej asaj kohë mbi 300 fëmijë e të rinj janë mbrojtur nga ekspozimi i paligjshëm apo i papërshtatshëm në internet.
CRCA ka një numër të pafund rekordesh pozitive kur bëhet fjalë për propozimin e ligjeve dhe politikave të reja për fëmijët dhe të rinjtë. Falë punës tonë të përbashkët me Parlamentin, disa ministrive dhe ekspertëve ligjorë ne kemi sjellë legjislacionin shqiptar në përputhje me normat ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve. Fëmijët sot janë më të mbrojtur nga ligji penal dhe të të drejtave të fëmijëve, shërbimet sociale dhe shumë ligje të tjera të lidhura me to.
Puna jonë për të rinjtë është rritur dhe zgjeruar nga viti në vit. Së bashku me partnerët tanë ne kemi mbështetur me krenari fuqizimin e OJF-ve rinore për t’u bërë zëri i të rinjve dhe promovimin e politikave rinore në pushtetin lokal dhe qendror. Modeli ynë i Lidershipit të të Rinjve të Tiranës dhe më pas mbështetja për Rrjetin Kombëtar Shqiptar Rinor (ANYN) ka prodhuar rezultate të prekshme në promovimin e të drejtave të të rinjve në shumë politika dhe në qeverisje. Sot ANYN është rrjeti më i madh për të rinjtë e njohur gjerësisht për punën e saj, avokim në emër të të rinjve në Shqipëri.
Ne jemi gjithashtu jemi krenarë që kemi mbështetur ngritjen për herë të parë në Shqipëri të Aleancës së Grave dhe Aleancës Rinore të anëtarëve të Këshillit Bashkiak në Tiranë, një model që tashmë është zbatuar mbi më shumë se 8 bashki në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë që nga viti 2005 së bashku me Koalicionin e Grave dhe të Rinjve në Politikë kemi mbështetur legjislacionin që kërkonte të paktën 30% të kuotave për përfaqësimin e grave në listat zgjedhore. Në sajë të përpjekjeve tona të mëdha sot ne kemi më shumë se 30 gra deputete në Parlament, në krahasim me vetëm 7 kur kemi filluar punën tonë.
Mbështetja nga donatorët është shumë e rëndësishme për punën tonë për të arritur synimet dhe objektivat që kemi vendosur në organizatën tonë. Falë mbështetjes së tyre ne kemi arritur të zbatojmë me sukses, së bashku me stafin e mrekullueshëm dhe ekspertët, iniciativat dhe rezultatet që kemi arritur. Sot jemi anëtarë të rrjeteve të mëdha të tilla si ECPAT International, Rrjetit Global për Fëmijët e Humbur, Eurochild, Koalicioni per Arsimin e Femijëve në Shqipëri etj. Ndërsa koncepti Shtëpia e të Drejtave të Njeriut na ka bashkuar me shumë OJF të tjera të mëdha që punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Në 20-vjetorin tonë ne prezantuam një logo të re, e cila ka për qëllim të tregojë një fëmijë ose një të ri duke gëzuar plotësisht të drejtat e tij / saj. Kjo është ajo për të cilën ne luftojmë çdo ditë. Barazi, respekt, progres për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri! Në 25 vjetorin tonë kjo logo vjen se bashku me numrin e viteve të historisë dhe punës sonë në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve anembanë Shqipërisë.