Tiranë, 5 Nëntor 2019 – CRCA/ECPAT Shqipëri, i drejtoi sot një letër të hapur publike, Presidentit të Shqipërisë, për t’i kërkuar mos-dekretimin e Ligjit “Për Rininë” pasi ai është në kundërshim të hapur me të drejtat e njeriut të mbrojtura nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë.
Në datë 4 Nëntor 2019, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 79 vota projekt-ligjin “Për Rininë”, duke ia dërguar atë Presidentit për dekretim. CRCA/ECPAT Shqipëri, si e vetmja organizatë e shoqërisë civile e specializuar në fushën e ligjeve dhe të të drejtave të të rinjve, e ka ndjekur me shqetësim dhe analizuar publikisht të gjithë procesin e diskutimit dhe miratimit të projektligjit. Referuar neneve të projektligjit “Për Rininë”, shqetësimi ynë qëndron në këto aspekte:
Nëse lejohet që Ligji “Për Rininë” të hyjë në fuqi, ai vendos përfundimisht nën diktatin e Qeverisë, Ministrit të Arsimit dhe Kryetarëve të Bashkive mbi 681,548 të rinj e të reja të moshës 15-29 vjeç në Shqipëri, që supozohet që përfitojnë nga ky ligj! Duke ditur faktin që si pushteti ekzekutiv qendror dhe ai vendor kontrollohet tërësisht nga një parti e vetme politike, automatikisht kjo i vendos të gjithë të rinjtë nën kontrollin e Partisë Socialiste, gjë që është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila garanton që e drejta e organizimit, e drejta e shprehjes, e fjalës dhe e pjesëmarrjes, janë jashtë kontrollit të partive politike apo edhe Qeverisë;
Ligji është në kundërshtim të hapur me të drejtat e njeriut, të mbrojtura dhe të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, si dhe aktet kryesore të OKB-së dhe të Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut. Ai vendos në mënyrë të jashtëligjshme kompetenca, të cilat duhet t’i kenë në kontroll vetë të rinjtë, në duart e Kryetarëve të Bashkive dhetë Ministrit përgjegjës për Rininë.
Ligji ka mungesë serioze të “check and balances” ndërmjet autoriteteve publike, të drejtave dhe përgjegjësive që ato gëzojnë, si dhe të rinjve, që janë përfitues dhe llogari-kërkues përkundrejt institucioneve që punojnë për ta. Në gjendjen aktuale ligji nuk krijon asnjë mundësi që të rinjtë të kërkojnë llogari nga institucionet për shkak se Ministri përkatës dhe Kryetarët e Bashkive, duke zgjedhur sipas dëshirës organizatat me të cilat duan të punojnë, si dhe financimin e tyre, do ta kenë tepër të thjeshtë të manipulojnë qëndrimet e të rinjve. Nga ana tjetër ligji nuk ka asnjë mekanizëm të kontrollit sesi përzgjidhen organizatat, kujt organizate i jepen fondet, dhe kush kërkon llogari për këtë proces, pasi ligji ia le të gjithë procesin në dorë personave më role politike dhe jo atyre që janë të zgjedhur!
Nuk krijon asnjë strukturë dhe mekanizëm institucional, lokal apo kombëtar që do të lehtësonte punën për rininë dhe llogari-dhënien e zyrtarëve publikë përkundrejt të rinjve. Ai gjithashtu në asnjë nen të tij, nuk garanton të drejtën për punësim me dinjitet të të rinjve. Sipas MAPS Report rreth 30% e të rinjve në vendin tonë, nuk janë as të punësuar, as të arsimuar dhe as të trajnuar.
Shfaq mangësi themelore përsa i përket edhe përputhjes së tij me aktet e Këshillit të Europës për të Rinjtë dhe me Aquis të Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria prej kohësh aspiron të hapë bisedimet e antarësisë me BE-në.
CRCA/ECPAT Shqipëri, shpreson se Presidenti i Republikës do ta kthejë mbrapsht për rishqyrtim Ligjin “Për Rininë”, duke mos lejuar kështu shkeljen masive të drejtave të mbi 23% të popullësisë në Shqipëri, që përbëhet nga të rinjtë dhe të rejat.