Fier, 19 Prill 2022 – Raportimet e rasteve të dhunës dhe shfrytëzimit seksual ndaj fëmijëve në Shqipëri, prej shumë kohësh duket se janë kthyer në kryefjalën e medias, si shkak i rritjes së numrit të tyre.  Por përhapja e madhe e platformave mediatike dhe hapësira gjeografike e vogël në të cilën ndodhin një numër i konsiderueshëm i dhunës seksuale ndaj fëmijëve, krijojnë një problematikë në zbulimin e identitetit të viktimave të dhunës seksuale.
Gazetarët duhet të thonë të vërtetën mbi ngjarjen që ata raportojnë duke mbrojtur në çdo moment fëmijën, por edhe duhet që përgjatë raportimit të shmangin në të gjitha format zbulimin e identitetit të fëmijës për të mos e dëmtuar më tej atë dhe familjen e tij.
Prej kohësh kjo situatë kërkonte një përgjigje urgjente, për të cilën CRCA/ECPAT Shqipëri, një ndër organizatat kryesore në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe të të rinjve në vend, falë edhe mbështetjes së Programit Rajonal “Resilience” të mbështetur nga Bashkimi Europian dhe që në Shqipëri zbatohet nga Instituti i Medias, të punojë për përgatitjen e një udhëzuesi bazë për gazetarët. Një udhëzues që kërkon t’ju vijë në ndihmë gazetarëve dhe mediave në Shqipëri në përmbushjen e sfidave te përditshme për t’i shërbyer interesit të informimit publik pa cënuar privatësinë, dhimbjen dhe vuajtjen e viktimave dhe familjarëve të tyre. Udhëzuesi do të shoqërohet me organizimin e kurseve të trainimit në pesë qarqe të Shqipërisë për të biseduar nga afër me gazetarët për standartet bazë të raportimit të rasteve të dhunës seksuale në media. Këto kurse do të organizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Agjensinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Bashkitë e qyteteve, si dhe Institutin e Medias.
Trajnimet nisën në Fier, me pjesëmarrjen e të gjithë gazetarëve lokalë të zonës së Fierit, Lushnjes dhe Beratit. Ata diskutuan mbi rolin e medias në raportimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve dhe rolin e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve për promovimin e të drejtave të fëmijëve në dhe nga media. Fokusi i këtij trajnimi ishin të gjitha problematikat që shpesh gazetarët hasin në raportimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve. Më pas në këtë trajnim u bë publik edhe prezantimi i Udhëzuesit për Median dhe Gazetarët mbi raportimin e rasteve të dhunës ndaj fëmijëve. Ky manual rriti së tepërmi interesin e gazetarëve lokalë të Fierit pasi ata këkrojnë të zgjidhin shpesh problematikat që krijohen midis institucioneve ndërvepruese në rastet e raportimeve.
Shqipëria prej vitesh po vuan rritjen e numrit të dhunës dhe shfrytëzimit seksual ndaj fëmijëve. Shifrat alarmante të viteve të fundit, flasin për një rritje galopante të dhunës që po ushtrohet mbi fëmijët. Raporti i BECAN i realizuar në nëntë vende të Ballkanit, tregoi se të paktën 1 dhe 10 fëmijë në Shqipëri është viktimë e dhunës seksuale. Ndërsa sipas INSTAT në vendit tonë gjatë vitit 2020, ndaj fëmijëve u regjistruan rreth 2000 krime, nga të cilat rreth 150 prej tyre kanë të bëjnë me dhunën seksuale ndaj tyre.
 
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri
Cel: +355675002020
E-mail: crca@crca.al