Trajnimi: “Mbrojtja e Vajzave dhe Grave nga Ngacmimi dhe Abuzimi Online” vjen si bashkëpunim mes shoqërisë civile, Prokurorisë së Përgjithshme dhe UNDP Shqipëri

Tiranë, 18 Shkurt 2022 – Dita Ndërkombëtare e Internetit të Sigurt dhe Dita Europiane për të Drejtat e Viktimave, solli në një trajnim dhe sesion informues, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Prokurorinë e Përgjithshme.  Me mbështejten e UNDP Shqipëri, ky takim trajtoi një prej realiteteve që kërkon gjithnjë e më shumë vëmendje në vendin tonë: “Mbrojtjen e Vajzave dhe Grave nga Ngacmimi dhe Abuzimi Online”. 

Në Shqipëri, ngacmimi dhe dhuna online ndaj vajzave dhe grave sa vjen dhe po bëhet një fenomen gjithnjë e më shumë shqetësues. Raporti i 3-të Kombëtar i ISIGURT.AL evidentoi se 31% e raportimeve pranë platformës kombëtare Isigurt.al janë të rinj mbi moshën 18 vjeç, të cilët bien “pre” e kërcënimeve, dhunës seksuale dhe shantazhit online.  

Vrojtimi Kombëtar i INSTAT “Dhuna ndaj Grave dhe Vajzave në Shqipëri”, ndër të tjera ka evidentuar se 8.9% e vajzave dhe grave të intervistuara kanë pasur dikë që në mënyrë të përsëritur u kish bërë thirrje telefonike fyese, kërcënuese, dhe 4,6% kishin pasur dikë që në mënyrë të përsëritur u kishte dërguar emaile, mesazhe me tekst, apo mesazhe në faqet e internetit të rrjeteve sociale të cilat ishin fyese dhe/ose kërcënuese. 

Qëllimi i trajnimit dhe seancës informuese është që të diskutojë ndërmjet punonjësve të prokurorive në Tiranë, Durrës, Krujë dhe mekanizmave të mbrojtjes nga dhuna në familje mbi sigurinë në internet, dhunën dhe ngacmimin online, rolin e rrjeteve sociale, gjuha e urrjetjes ndaj grave e vajzave, si dhe rëndësinë e informimitt rreth të drejtave të viktimave dhe procedurave që duhet të ndiqen për mbrojtjen e të drejtave të tyre.   

Trajnimi u organizua nga CRCA/ECPAT Shqipëri në kuadër të zbatimit të projektit “Promovimi i barazisë gjinore dhe dhënia fund e dhunës ndaj vajzave dhe grave të reja në Shqipëri”, me mbështetjen e UNDP Shqipëri në bashkëpunim më Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si pjesë e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri”, financuar nga Qeveria e Suedisë.  

 
Për më tepër informacion kontaktoni me crca@crca.al