
Tiranë, 2 Shtator 2020 – Fëmijët dhe të rinjtë në konflikt me ligjin do të përfitojnë shërbime alternative sociale dhe institucionale prej ekspertëve më të mirë të CRCA/ECPAT Shqipëri për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri për një jetë të re larg krimit.
CRCA/ECPAT Shqipëri, një organizatë me përvojë profesionale mbi 24 vjeçare në mbrojtje të fëmijëve dhe të rinjve, po zbaton prej datës 1 Shtator 2020, nismën “Shpresë për Fëmijët dhe të Rinjtë në Konflikt me Ligjin në Shqipëri” në kuadër të projektit “Kontributi për përmirësimin standardeve të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë sistemit penitensiar në Shqipëri” financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga TLAS në partneritet me Fondacionin Qendra Europiane në Shqipëri.
Nisma “Shpresë për Fëmijët dhe të Rinjtë në Konflikt me Ligjin në Shqipëri”, ka si qëllim lehtësimin e procesit të riintegrimit të fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin në qytetin e Tiranës, Elbasanit dhe Korçës.
Projekti i sapo nisur është një angazhim për përmirësimin e standarteve të të drejtave të njeriut brenda dhe jashtë sistemit penitenciar në Shqipëri. Që në ditët e parë të nisjes së këtij projekti, ekspertët e CRCA/ECPAT Shqipëri, realizuan takime me përfaqësues të pushtetit lokal, të policisë dhe shërbimit social e atyre të provës në Elbasan dhe Korçë, jo vetëm duke prezantuar kolonat kryesore në të cilën mbështetet kjo nisëm, por edhe duke krijuar ura bashkëpunimi për një realizim të suksesshëm të saj.
Nisma “Shpresë për Fëmijët dhe të Rinjtë në Konflikt me Ligjin në Shqipëri”, do të sigurojë ndihmë juridike falas dhe mbështetje psikologjike duke u përqëndruar në zbatimin e një sërë masash dhe veprimesh që rrisin aksesin në drejtësi dhe shërbimet e mirëqenies sociale, për të gjithë të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al